Ministria e Mbrojtjes: Ushtarakët s’do të mbesin pa ushqim, letra e Jasharit në vazhdën e komunikimit të zakonshëm

Në media u raportuar sot se Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Bashkim Jashari i është drejtuar me një kërkesë ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonicit lidhur me çështjen e ushqimit të ushtarëve. Ai ka kërkuar zgjidhje konkrete, në të kundërtën do të detyrohen të marrin masa.

Lidhur me këtë ka reaguar zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes, Liridona Gashi.

“Letra drejtuar Ministrit të Mbrojtjes nga Komandanti i FSK-së është në vazhdën e komunikimit të zakonshëm ku raportohen vështirësitë të cilat hasen gjatë rrugës, dhe sigurisht se ndërtimi i kapaciteteve të vetqëndrushmërisë sa i përket ushqimit nuk është një proces pa vështirësi. Përgjatë kësaj periudhe kalimtare do të ndërmirren masat për të siguruar vazhdimësinë e ofrimit të këtij shërbimi”, thuhet në reagim

Ndërsa sa i përket shujtave të ushtarëve të FSK-së Gashi ka thënë se “të gjitha kazermat e FSK-së janë funksionale dhe po shërbehet llojllojshmëri shujtash pavarësisht nga jo që po tentohet të propagandohet në disa medie dhe rrjete sociale”.

“E vërteta është se nuk ka mungesë të ushqimit dhe as të cilësisë, pasi të njëjtat produkte bazë përdoren në çdo objekt amvisërie në Kosovë, e vetmja gjë me të cilën po përballemi është mungesa në numër e stafit teknik, pasi kuzhinierët veçse i kemi angazhuar në këtë periudhë si rezultat i marrëveshjes me Qendrën Sutdentore si dhe Shërbimin Korrektues të Kosovës. Ky problem do të zgjidhet sapo të mbyllet konkursi për pranimin e stafit profesional vetanak, konkurs ky që është hapur dhe çdo procedurë do të përfundoj në afat prej 45 ditësh”, thuhet në reagim.

Ministria tutje ka premtuar se “ushtarakët nuk do të mbesin pa ushqim, këtë ua garantojmë pjesëtarëve të FSK-së”./21Media

Back to top button