Ministria e Shëndetësisë reagon për grevën e mjekëve
Ministria deklaron se duhet të mendojnë dhe të kujdesen edhe për gjendjen dhe trajtimin korrekt të pacientëve
Ministria e Shëndetësisë lidhur me grevën e mjekëve deklaron se ministria pret të miratohet buxheti për vitin 2019 dhe t’i hapet rruga për kalim në Kuvend edhe Projektligjit për pagat në sektorin publik.
“Ministria e Shëndetësisë po e përcjell me vëmendje grevën e punonjësve shëndetësor dhe gjatë këtij viti ka punuar për kërkesat e tyre. Për këtë qëllim, është punuar në Projektligjin për pagat në sektorin publik, të cilin e ka miratuar Qeveria e Republikës së Kosovës dhe të njëjtin e ka dërguar në Kuvend”, bëhet e ditur në komunikatën e ministrisë.
Me buxhetin për vitin 2019, sipas ministrisë, parashihet rritja e pagave në sektorin shëndetësor.
“Krahas angazhimeve të tjera, në këto momente duhet të mendojmë dhe të kujdesemi edhe për gjendjen dhe trajtimin korrekt të pacientëve tanë, duke u angazhuar njëkohësisht që të sigurohet më e mira edhe për profesionistët shëndetësor të gjitha niveleve”, bën të ditur MSh.
Ministria konsideron se të gjitha problemet mund të zgjidhen përmes bashkëpunimit dhe dialogut social.