Ministria e Sportit lëshon qarkoren e re me rregulla strikte për financimin e Federatave Sportive

Ministria e Sportit dhe Rinisë (MSR) ka lëshuar një qarkore të re zyrtare, e cila përcakton rregulla strikte për menaxhimin, përdorimin dhe raportimin e mjeteve buxhetore të ndara për organizatat sportive në Republikën e Kosovës.

Ky dokument synon të rrisë transparencën dhe llogaridhënien për çdo cent të shpenzuar nga paratë publike.

Në dokumentin e siguruar nga KosovaPress, thuhet se nga shtatori e tutje, mbështetja financiare do të realizohet përmes dy llojeve të memorandumeve:

Memorandumi për Zhvillimin e Aktiviteteve Vjetore (MAV): Mjetet transferohen në katër këste tremujore (TM1, TM2, TM3, TM4).

Memorandumi për Projekte me Interes të Veçantë (MPV): Realizohet me një këst të vetëm, përveç nëse parashihet ndryshe.

Sipas këtij dokumenti, për të përfituar këstin vijues, federatat duhet të përmbushin afatet e raportimit:

Deri më 15 korrik duhet të raportohen këstet TM1 dhe TM2.

Deri më 15 tetor duhet të raportohet kësti TM3 për të përfituar TM4.

Kushti kryesor është se nuk do të ketë alokim të mjeteve të reja pa mbyllur të gjitha avancet e mëhershme.

Nga sot, federatat obligohen të kenë të angazhuar së paku sekretarin, zyrtarin administrativ dhe zyrtarin financiar.

Tavanet e pagave përcaktojnë se paga e sekretarit nuk mund të kalojë nivelin e një drejtuesi të mesëm në institucionet publike, ndërsa pagat e zyrtarëve të tjerë duhet të jenë ekuivalente me ato të zyrtarëve publikë.

Mjetet duhet të përdoren vetëm në katër linja buxhetore:

Qeverisje e mirë, që përfshin pagat e stafit, auditimin e jashtëm, strategjitë dhe trajnimet.

Performanca në sportin garues, që përfshin trajnerët, gjyqtarët, kampet, pajisjet dhe pjesëmarrjen në gara botërore dhe evropiane.

Shoqëri aktive dhe e shëndetshme, që përfshin aktivitete rekreative, sportin e vajzave dhe aktivitetet për persona me aftësi të kufizuara.

Diplomacia dhe turizmi sportiv, që përfshin konferenca ndërkombëtare dhe marrëveshje bashkëpunimi.

Për verifikimin e shpenzimeve, dokumentacioni duhet të jetë origjinal dhe të plotësojë kriteret financiare:

Kuponi fiskal pranohet vetëm deri në 50 euro.

Për pagesat nga 50 deri në 300 euro kërkohet faturë e rregullt tatimore, e nënshkruar dhe e vulosur.

Për pagesat mbi 300 euro, përveç faturës, është i obligueshëm edhe transferi bankar.

Në udhëtimet jashtë vendit nuk lejohen shpenzimet për pije alkoolike dhe kërkohet raport përshkrues i miratuar.

Një risi e rëndësishme është obligimi i organizatave sportive që çdo tre muaj të publikojnë raportet e aktiviteteve dhe ato financiare në ueb-faqet e tyre zyrtare. Pa këtë publikim, MSR nuk do të ekzekutojë pagesën e radhës.

Federatat kanë të drejtë financimi vetëm gjatë kohës që janë të licencuara, ndërsa në rast revokimi apo pezullimi të licencës, financimi ndërpritet menjëherë./kp

Back to top button