Ministria e Zhvillimit Ekonomik: Mielli nuk është problem

Blerjet masive të shtyra nga paniku janë të panevojshme

Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike (MEPTINIS), ka njoftuar se po merr të gjithë hapat e nevojshëm për të siguruar furnizimin e rregullt të tregut me drith dhe miell.

“Në mbështetje të Republikës së Kosovës dhe vendeve të rajonit Këshilli për Bashkëpunim Rajonal, i përkrahur nga Bashkimi Evropian ka marre nismë për hapjen e korridoreve të gjelbra duke synuar mundësinë e qarkullimit te lirë të mallrave te domosdoshme. Në takimin e sotëm rajonal përmes një video konference me zyrtarët e Ministrisë, Këshilli për Bashkëpunim Rajonal ka kumtuar zotimet për krijimin e korridoreve të gjelbra që mundësojnë qarkullimin e lirë të mallrave te domosdoshme — duke përfshirë grurin dhe miellin. Ne këtë takim janë diskutuar propozimet nga Sekretariati i Përhershëm i Komunitetit të Transportit dhe Sekretariati i CEFTA për të vendosur korridore te gjelbra brenda territorit të Ballkanit Perendimor”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

MEPTINIS po vijon bashkëpunimin dhe komunikimin e afërt me akterët përkatës në tregun vendor dhe rajonal dhe me mekanizmat shtetërorë për të siguruar bukën për qytetarët gjatë periudhës së pandemisë.

MEPTINIS rikujton se blerjet masive të shtyra nga paniku janë të panevojshme. “Institucionet e Republikës së Kosovës kanë mjetet financiare dhe burimet e duhura për të siguruar furnizimin me mallrat esenciale”, thuhet tutje në komunikatë./21Media

Shih korridoret në hartë

Back to top button