Ministrina e Integrimeve flet për shpalljen e konkursit të jashtëm

MIE: Kërkuam nga institucionet t’u jepet prioritet punësimit të bursistëve

Ministria e Integrimit Evropian ka reaguar menjëherë pas publikimit të lajmit të reagimit të shoqërisë civile për punësimin e bursistëve.

Nga kjo ministri thonë se realizohen konkurse për punësim në pajtueshmëri me legjislacionin në fuqi që rregullon procedurat e punësimit të shërbyesve civilë në bazë të planit të personelit të miratuar nga Ministria e Administratës Publike (MAP) dhe Ministria e Financave (MF).

Në këtë drejtim, është e nevojshme të qartësohet se hapja e konkursit për shërbyes civil nuk është në kuadër të kompetencave të Ministres. Më tej, dëshirojmë të qartësojmë për publikun se në kuadër të marrëveshjes me Bashkimin Evropian rreth Skemës së Profesionistëve të Rinj -Young Cell Scheme (YCS) për këtë vit, dhe në bazë të planit të personelit të miratuar nga MAP dhe MF, MIE ka rezervuar 7 pozita të lira për të diplomuarit e kësaj skeme ashtu siç ka bërë në vazhdimësi. I njëjti përkushtim i Ministrisë së Integrimit Evropian i është transmetuar rregullisht edhe Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë”, thuhet në reagim

MIE thotë se iu është drejtuar të gjitha institucioneve publike përmes një shkrese ku ka kërkuar t’u jepet prioritet punësimit të sapo diplomuarve nga programi YCS, në kuadër të konkursit për shërbyes civil.

Organizatat e shoqërisë civile kanë shprehur shqetësimin e thellë të tyre ndaj tentativës së ministres në dorëheqje të Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, siç thanë ata, për të politizuar institucionin e MIE-së duke refuzuar punësimin e bursistëve të shkolluar në universitetet prestigjioze Evropiane, dhe në vend të saj të bëjë punësime publike mbi baza partiake.

Sipas tyre, këto veprime të Hoxhës janë të kundërligjshme dhe përbejnë shkelje flagrante të marrëveshjeve ndërkombëtare, respektivisht Marrëveshjes Financiare për Ratifikimin e IPA-së 2016./21Media

Back to top button