Ministrja Hajdari u intervistua në cilësi të të dyshuarës për keqpërdorim të detyrës zyrtare

(Lajm i përditësuar)


Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari është intervistuar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, në cilësi të të dyshuarës për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Këtë e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, Florent Latifaj, i cili përfaqësoi ministren Hajdari sot në Prokurori.

Në anën tjetër, ministrja Hajdari para medieve tha “Nuk jam intervistuar sot, sepse është fjala për intervistë për rezervën shtetërore, e cila kërkon qartësi në legjislacionin në fuqi, që është Ligji për rezervën shtetërore, ligjji për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar dhe ligjjet tjera”.


Hajdari del nga Prokuroria Speciale: S’jam intervistuar

Ministrja e Tregtisë, Industrisë e Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, para pak çastesh ka dal nga objekti i Prokurorisë Speciale ajo tha se nuk është intervistuar.

“Nuk jam intervistuar. Është fjala për intervistë për rezervat shtetërore e cila kërkon qartësi me legjislacionin në fuqi që është ligji për rezervën shtetërore, ligji për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar dhe ligjet tjera dhe derisa t’i marrim qartësitë përkatëse ne do të bëjmë kërkesën të vijmë dhe t’ju japim përgjigjet që kanë nevojë t’i marrin”, tha ajo shkurt në një prononcim për media.


Rozeta Hajdari po intervistohet në Prokurorinë Speciale për rezervat shtetërore

Ministrja e Tregtisë, Industrisë e Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, është duke u marrë në pyetje në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), lidhur me skandalin e rezervave shtetërore.

Ndryshe, Prokuroria Speciale më 18 gusht 2023, kishte zhvilluar një aksioni për bastisjen e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë si dhe shkoi edhe te pronat e biznesmenit Ridvan Muharremi.

Pas aksionit, dy zyrtarët e Ministrisë, Hafiz Gara, Irfan Lipovica dhe biznesmeni u prangosën nën dyshimin për korrupsion dhe vepra tjera penale.

Ministrja Rozeta Hajdari kishte thënë po atë ditë se dy zyrtarët e MINT janë të pafajshëm dhe se nuk kanë bërë kurrfarë shkeljesh ligjore derisa ka akuzuar Policinë se ka marrë kundërligjshëm dokumentet e rezervës shtetërore, duke rrezikuar kështu sigurinë kombëtare.

Ndërkaq, më 31 gusht 2023, Muharremi dhe dy të zyrtarët shtetërorë ishin liruar nga paraburgimi. Muharremi dyshohet se ka ndërmjetësuar kundërligjshëm në blerjen e rezervave shtetërore nga Turqia dhe Polonia.

Ai dyshohet se iu ka ndihmuar dy zyrtarëve shtetërorë Gara, dhe Lipovica , që të shkelin ligjin kur kanë porositur blerjen e rezervave shtetërore

Back to top button