MINT vazhdon të monitoroje çmimet e karburanteve

Çmimi i derivateve të naftës në Kosovë në 10 ditët e fundit u ngrit për mbi 30%, si pasojë e zhvillimeve në Lindjen e Mesme. Aktualisht një litër naftë në Kosovë shitet mesatarisht për 1 euro e 55 cent nga 1 euro e 10 cent sa ishte para nisjes së luftës në Lindjen e Mesme. Megjithatë, ministria e tregtisë gjatë ditës, tha se çmimi tavan për naftën vazhdon të jetë në fuqi. Ministria bëri të ditur se po vazhdon monitorimin dhe kontrollin e vazhdueshëm nëpër pikat e karburanteve.

Grafikë- Ministria e Tregtisë dhe Industrisë

“Sipas të dhënave zyrtare të siguruara nga evidencat e Doganës së Kosovës, çmimi mesatar i importit për derivatet e naftës gjatë ditës së martë – datë: 10.03.2026, ka qenë si në vijim:

  • Naftë (Dizel): 1.45 €/litër;
  • Benzinë: 1.17 €/litër;

Ndërkohë, bazuar në monitorimin e realizuar në tregun vendor sot, çmimet e ekspozuara për konsumatorët në pikat e shitjes me pakicë rezultojnë si më poshtë:

  • Naftë (Dizel): nga 1.44 €/litër deri në 1.54 €/litër;
  • Benzinë: nga 1.18 €/litër deri në 1.31 €/litër;”

Ministria e Tregtisë më 4 mars fuqizoi ligjin për çmimin tavan për derivatet, duke bërë rregullimin e përkohshëm të çmimeve. Ministria përcaktoi fitimin për pikat e karburanteve, 2 cent për litër të produktit të shitur me shumicë dhe 12 centë për litër për produktet e shitura me pakicë. Ndërkohë, shoqata e naftëtarëve gjatë ditës deklaruan se në Kosovë çmimi i karburanteve është më i liri në rajon, edhe pse një gjë e tillë është e diskutueshme. Megjithatë, nga kjo shoqatë deklaruan se çmimi i derivateve nuk varet nga ta. Konflikti në lindjen e mesme, nisi në fillim të muajit mars megjithatë, në Kosovë çmimet e naftës lëvizën menjëherë. Kjo situatë ngjalli dyshimet për manipulime të tregtarëve. Megjithatë, eksperti financiar, Remzi Smajli shpjegon arsyet pse ka ndodhur një gjë e tillë.

“Kosova është një treg i varfër nuk ka rezerva të mëdha dhe për këtë arsye nga frika se rrezikojnë të mbesin të pa furnizuar ata detyrohen që t’i ngrisin çmimet paraprakisht…”, tha Smajli.

Në anën tjetër, shtrenjtimi i derivateve ditëve të fundit ka ndikuar që të shtrenjtohen edhe produktet e tjera. Një numër i tyre shënoi rritje siç u tha për shkak të rritjes së kostos së transportit, por edhe prodhimit, duke dobësuar kështu kuletën e qytetarëve. Në situatën e krijuar dhoma e tregtisë dhe industrisë thotë se qeveria do të duhej që të heqë taksat, së paku për produktet esenciale.

“Mbretëria e bashkuar e ka ba një gjë të tillë, pra ka zvogëluar taksat, Gjermania po ashtu në mënyrë që të iu dalin në ndihmë qytetarëve në Kosovë nuk po shohim një gjë të tillë pra ende nuk kemi parë lëvizje në këtë drejtim…”, tha Kushtrim Ahmeti nga dhoma e tregtisë.

Si pasojë e trendit të shtrenjtimit të derivateve, rritje të çmimit kanë paralajmëruar edhe kompanitë e transportit rrugor, meqë, siç u tha derivatet ndikojnë drejtë për së drejti në operimin e tyre. Aktualisht nga vendet e rajonit çmimi i naftës vazhdon të jetë më i ulët në Maqedoninë e veriut me rreth 1 euro e 39 cent për litër./RTV21/21Media

 

Back to top button