Miratohet në parim Projektligji për Byronë Shtetërore të Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme

Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme u miratua në parim, të enjten në Kuvend.

Me Ligjin për Byronë Shtetërore, mundësohet që të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë mund të jenë subjekt i verifikimit të pasurisë nëse ekzistojnë dyshime për prejardhjen e saj. Përveç zyrtarëve, ligji lejon hetimin edhe të familjarëve të këtyre zyrtarëve dhe personave të tjerë që mund të konsiderohen si “palë e tretë”.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka prezantuar projektligjin para deputetëve. Ka thënë se Qeveria nuk ka hartuar projektligj të ri, por se i ka adresuar në mënyrë specifike çështjet që Gjykata Kushtetuese i ka konsideruar antikushtetuese.

“Çështjet kryesore lidhen me retroaktivitetin e ligjit pastaj nevojën për qartësi në lidhje me periudhat kohore brenda të cilave byroja shtetërore mund të verifikojë pasurinë e fituar kundërligjshëm, por gjithashtu përfshin edhe përbërjen e Komisionit mbikëqyrës në dritën e garantimit dhe respektimit të parimit të ndarjes së pushteteve. Sa i përket çështjes së retroaktivitetit si një nga çështjet kryesore të kësaj nisme Gjykata Kushtetuese nuk e ka refuzuar parimisht retroaktivitetin por ka theksuar se ai duhet të zbatohet me kujdes duke respektuar parimin e proporcionalitetit në ketë drejtim në linjë me konstatime te gjykatës në projektligj është përfshirë koncepti i pamundësisë objektive të normuara përmes nenit 35 të këtij projektligji”, ka thënë ajo.

Haxhiu ka shtuar se çështja tjetër ndërlidhet me periudhat kohore brenda të cilave byroja shtetërore mund të verifikojë pasurinë e fituar.

Ka theksuar se është adresuar periudha e verifikimit që do të lidhet ekskluzivisht me periudhën kur zyrtari publik ka qenë në funksion, e përjashtimisht që verifikimi mund të zgjasë deri në pesë vjet pas përfundimit të detyrës publike nëse ka prova te dukshme që pasuria është më e madhe sesa të ardhurat e ligjshme.

“Këto ndryshime janë adresuar përmes neve 2,9,10 dhe 23. Ndërsa inicimi i procedurës së verifikimit të pasurisë së pajustifikueshme mund të bëhet gjatë kohës që personi zyrtar është ende ne funksion ose më së voni deri në 10 vite pas përfundimit të funksionit publik. Sa i përket komisionit mbikëqyrës dhe adresimit në përputhje me konstatimet e gjykatës në versionin e ri komisioni do të përbëhet nga tre anëtarë të emëruar nga Kuvendi i Kosovës dhe në këtë drejtim drejtori i agjencisë për parandalimin e korrupsionit dhe drejtorin i njësitit të inteligjencës financiare. Për këtë qëllim është ndryshuar neni 10 që rregullon përbërjen e komisionit dhe është shtuar një nen i ri pra neni 11 që rregullon mënyrën e përzgjedhjes së tre anëtarëve të Komisionit”, ka thënë ministrja.

Në Kuvend ligji kaloi më 9 shkurt 2023. Pas kësaj, u sfidua në Kushtetuese nga deputetë të Partisë Demokratike. E, u shpall i pavlefshëm pas një viti e gjysmë shqyrtim nga kjo gjykatë, më 29 korrik 2024.

Back to top button