Vitia: Projektligji për produktet medicinale do të pamundësojë abuzimin me çmime të barnave

(Lajm i përditësuar)
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, pas miratimit në qeveri të Projektligjit për produktet medicinale, ka thënë se përmes këtij të fundit do të pamundësohet abuzimi me çmime për barnat.
Në konferencë për medie të mërkurën, ai tha se tani do të ketë nivelizim të çmimeve për barnat, ndërkohë që shtoi se për implementimin e këtij projektligji janë të paraparë edhe 42 inspektorë shëndetësorë.
“Ne duam të shkëputemi nga kjo praktikë e keqe dhe t’iu japim institucioneve dhe qytetarëve instrumentin më adekuat për t’u mbrojtur nga abuzimet dhe kostot e larta të shpenzimeve për produktet vitale që janë barnat në këtë rast. Përmes përcaktimit të çmimeve të produkteve medicinale për qarkulluesit e licencuar farmaceutik me shumicë dhe pakicë në vendin tonë, do të mundësohet që institucionet shëndetësore të sigurojnë barnat e nevojshme dhe efikase për qytetarët dhe institucionet me kosto të përballueshme. Ligji do të mundësojë evitimin e çmimeve të ndryshme për produktet identike dhe do të pamundësojë abuzimet me çmime të barnave sikur deri tani”, tha ai.
Ai foli edhe për komisionin ekzekutiv për shëndetësi, ku tha se i njëjti është ende funksional, mirëpo pas një periudhe kohore do të shihen mundësitë për shuarjen e tij.
“Komisioni ekzekutiv akoma është funksional. Komisioni ekzekutiv gjatë periudhës mbi gjashtë mujore deri tani ka pasur shumë takime, por më shumë takime mes anëtarëve. Ka pasur një objektiv prej gjashtë pikave ku është hartuar një dokument që mua tash si ministër më ka shërbyer shumë. Të gjitha këto rekomandime që kam marrë nga komisioni ekzekutiv ne një pjesë i kemi adresuar në buxhet, mirëpo një pjesë e objektivave të tjera janë duke adresuar, qoftë në projektligje apo mekanizma dhe rregullore në të ardhmen. Pasi të përfundon ky procesi i gjithë rekomandimeve atëherë do të kemi mundësinë që pas arritjeve të rezultateve që i ka pasur si objektiv ky komision të pushojë së ekzistuari pas një kohe”, shtoi Vitia.
Në anën tjetër, ai ritheksoi se vendimi i Organit Shqyrtues të Prokurimit për blerje të insulinave pa autorizim-marketingu është i gabuar.
“Kjo është një përpjekje në të cilën nuk do të heqim dorë ne si MSH për të ruajtur ligjshmërinë. Ligji e thotë qartë se pa autorizim marketing, pa një certifikatë të cilësisë që garanton cilësinë e produktit dhe garanton se nëse ndodh diçka ne kemi një derë për të trokitur, ne nuk mund të marrim barna në Kosovë”, përfundoi ai.
11:14 – Miratohet projektligji që rregullon çmimet e barnave

Qeveria ka miratuar projektligjin për çmimet e produkteve medicinale, që parasheh rregullimin e çmimeve të ilaçeve në vend, e që sipas kryeministrit Albin Kurti, do të kursejë mjete të shumta të qytetarëve. Ai dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, kanë thënë se nëpërmjet këtij ligji, Kosova do të ketë ndër çmimet më të lira të barnave.
Vitia ka thënë se deri tash këtë ligj s’e kanë pasur vetëm dy shtete në Evropë, Kosova dhe Bjellorusia.
“Pas dy dekadash, si përfundim, Kosova për herë të parë po hiqet nga kjo listë. Kjo nismë është politikë e re dhe e shumëpritur në mbrojtjen e qytetarëve”, ka thënë Vitia
Ai ka thënë se me këtë ligj, një bar do të ketë çmim të njëjtë në të gjitha barnatoret në vend.

Back to top button