Mjekët me “karton të kuq”, kërkojnë miratimin e ligjit për paga

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka protestuar sot para Qeverisë së Kosovës duke kërkuar që deri në fund të vitit të miratohet ligji për pagat. Ndërsa me “karton të kuq” e kanë vlerësuar menaxhimin e pandemisë dhe trajtimin e profesionistëve shëndetësorë në këtë periudhe krize shëndetësore.
Kryetari i FSSHK-së, Blerim Syla tha se kanë dy kërkesa kyçe e që janë miratimi i ligjit të pagave këtë vit, dhe zbatimi për shtesat mbi pagë të bazuar në Ligjin për luftimin dhe parandalimin e pandemisë në territorin e Kosovës.
“Pa vullnetin tonë, por me provokimin e skajshëm të institucioneve më të larta të shtetit jemi detyruar të dalim me mantel të bardh në rrugë… Dy kërkesat sublime kanë të bëjnë me implemtimet e ligjit. Ka disa muaj që iu kemi adresuar presidentes, kryeparlamentarit dhe kryeministrit, por asnjë përgjigje nuk kemi marrë. Kërkesa janë zbatimi i ligjit të pagave dhe jo të jepen lëmosh. Ne nuk jemi për lëmosh, andaj urgjentisht kërkojmë të merret vendimi që ligji antipandemi të vazhdojë deri në miratimin e ligjit të pagave ndërsa, kërkesa kryesore ku mund të flasë lirisht edhe në emër të shërbyes civilë dhe policisë, të cilët shumë shpejt do t’i shihni me reagimet e tyre. Kërkojmë që sivjet të miratohet ligji i pagave në bashkëpunim me sindikatat, që viti 2022, pikërisht janari të na gjejë me barazi ashtu siç e kanë premtuar kjo qeveri, në të kundërtën jemi të detyruar të përshkallëzojmë veprimet tona”, tha ai.
Duke i dhënë ultimatum Qeverisë që deri më 26 shtator të reagojnë karshi kërkesave të tyre, Syla tha se kjo sjellje e qeverisë karshi punëtorëve shëndetësorë do të rritet numri i mjekëve që do të ikin nga Kosova.
“Me veprimet e fundit kundër mantel-bardhëve, vetëm sa do të thelloj krizën e largimit të mjekëve nga Kosova. Zotëri kryeministër, ndoshta sot iu dukemi pak, por ju lutemi mbani premtimet për barazi, ligji i pagave është jetik për ne dhe për të gjithë shërbyesit publikë… Ne do të jemi me popullin vazhdimisht, por deri më datën 26 do të presim se çka do të veprojë qeveria, por ju lutem mos na detyroni të vijmë më masovikisht këtu”, theksoi Syla.
Lidhur me menaxhimin e pandemisë COVID-19 Federata Sindikale e Shëndetësisë së Kosovë ka vlerësim negativ.
“Sa i përket menaxhimit të pandemisë dhe trajtimit të punëtorëve shëndetësor ja ku e keni”, u shpreh ai.
Federata Sindikale e Shëndetësisë së Kosovës ka protestuar edhe para Ministrisë së Shëndetësisë ku kërkuan vazhdim të dialogut social, si dhe nxjerrjen e udhëzimit administrativ për shtesat mbi pagë të bazuar në Ligjin për luftimin dhe parandalimin e pandemisë.

Back to top button