Mjekët po ikin, kjo është strategjia e Ministrisë së Shëndetësisë për t’i ndalur

Fenomeni i ikjes së profesionisteve shëndetësorë nga Kosova është rikthyer prapë në qendër të vëmendjes. Me shpresë për punësim, por edhe kushte më të mira të punës, profesionistët mjekësor po lëshojnë vendin për të emigruar kryesisht në Gjermani.
Por, çfarë po bën Ministria e Shëndetësisë (MSh) për ta ndalur këtë dukri?
Në një përgjigje për portalin rtv21.tv nga kjo ministri thonë se po bëjnë reformimin e procesit të specializimeve. Për çka Ministria ka angazhuar një ekip edhe ekspertë  nga SHBA, “me çka mjekëve të rinj duhet t’u krijohen programe efektive të edukimit të vazhduar profesional; pastaj prioritet do t’u jepet lëmive deficitare, krijim i kushteve më të mira pune dhe përmirësim i mirëqenies materiale dhe profesionale të tyre.”, thonë nga MSh.
Nga kjo ministri zotohen se Ministri Latifi po angazhohet intensivisht që profesionistëve shëndetësorë t’u krijohen mundësi më të mira pune si rritje e shkathtësive profesionale përmes pjesëmarrjes në programe ndërkombëtare.
“Po ashtu edhe për rikthimin e shume profesionisteve për të kontribuar në Kosovë, sikur e ka bërë me shembullin e tij personal.”, thuhet në përgjigjen e MSh-së.
Megjithatë nga kjo ministri thonë se ky nuk është proces i lehtë dhe as që kryhet brenda natës.
“Siç nuk është as shkuarja jashtë vendit diçka që ka nisur tani, por që Ministria e ka në prioritet të lartë dhe po punon në këtë drejtim, përfshirë edhe bashkëpunimin me institucionet e tjera për të përmirësuar edhe pagat e tyre.”, thonë për portalin rtv21.tv nga Ministria e Shëndetësisë.
Profesionistë mjekësorë, të pakënaqur me pagat këtu, po ia mësyjnë shteteve perëndimore. Vetëm në pesë muajt e parë të këtij viti Kosovën e lëshuan 79 mjekë dhe rreth 300 infermierë./21Media

Back to top button