Mjeku për RTV21: Njoftimi i ujësjellësit i shkruar me dorë u bë me qëllim
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, u ka bërë thirrje konsumatorëve që të shkarkojnë aplikacionin “E-KRUP” në ISO dhe Android.
Por thirrja për të ecur me zhvillimet teknologjike është bërë në një formë që në ditët e sotme nuk është e zakonshme.
Ajo është shkruar me dorë në një letër, me shkronja të shkrimit e me laps kimik dhe thirrja si fotografi është shpërndarë në faqen e KRU “Prishtina” në Facebook.
Zëdhënësja e KRU Prishtina, Arjeta Mjeku për portalin rtv21.tv ka treguar se ai ky njoftim është bërë më qëllim.
“Këtu e kam bë një ndërlidhje të së shkuares me të tashmen. Një ndërlidhje të gjeneratave kur i kanë kushtuar rëndesi bukurshkrimit dhe tash që nuk i kushtojnë, e qe mendoj se është shumë e rëndesishme për zhvillim fizik dhe mendor. Unë kam qenë në fakultetin e matematikës, por e kam përfunduar fakultetin e gazetarisë. Realisht jam ndi shumë shumë mirë kur ekspertë të marketingut dhe analistë të njohur e kanë vleresuar lartë. Qëllimi i shkrimit ishte organika-diçka bio se jemi mësu me gjesende “hormonale””, ka thënë Mjeku.
Ajo u shpreh se ka pasur shumë konsumatorë të cilët pas kësaj thirrje kanë kryer pagesat për ujë.
“E kam pritë, por jo edhe kaq shumë. Po ka pasë shume dhe madje sot në mëngjes të dyert e KRUP pritnin njerëz që të kryenin pagesa për ujë”, ka thënë Mjeku për rtv21.tv duke theksuar se këtë shkrim ia dedikoin të ndjeres mësueses së saj, Lumnije Mustafa dhe punëtoreve fizikë të KRU Prishtina.
“Sot, na mungon dashuria për njeri-tjetrin, na mungon lapsi dhe letra, na mungon lumturia e së shkuares, kur më pak kemi gjetë kënaqësinë çdokund. Me pak, mund të jesh i lumtur. Më pak, bën famë. Me pak, i kënaqë të tjerët. Me pak, gëzohesh. Andaj, të mos fokusohemi të gjërat materiale, sepse lumturia vjen nga brenda, nga vetvetja. Inkurajoj të rinjte që të kenë fletore me vete dhe një laps, në vend të telefonit. Apeloj të gratë qe te mos i hudhin goblenat, siç i kemi quajtur më parë, sepse ato kane vlere, t’i marrin dhe te ia vendosin nga një kornize të re. Ato shërbejnë njëjtë si pikturat e ditës së sotme, sepse gratë kanë bërë me 6 muaj ta punojnë një goblen të tillë, një punim me vlerë. Përmes letrave me shkrim, shprehet dashuria dhe miqësia me e sinqertë, më e vërtetë. Mos t’i harrojmë vlerat tona të së shkuares, sepse kemi shumë. Ky shkrim i dedikohet THIRRJES së sinqertë për ujin dhe se Bukurës natyrale”, ka thënë Mjeku./21Media