Modeli zgjedhor përplas koalicionin LSDM-BDI

Nuk arrijnë të merren vesh se kujt i shërbejnë ndryshimet

LSDM ende nuk ka vendosur asgjë në lidhje me koalicionin LSDM-BDI. Dje kryeministri Zaev pas 6000 amendamenteve të BDI-së për mos-ndryshim të modelit zgjedhor vuri në pikëpyetje funksionalitetin e këtij koalicioni. Zaev tha se këto ditë do të bisedojnë me partnerin e tyre dhe do të shohin se çfarë më tej. Ai tha se me këtë model është e rëndësishme që të dëgjohet edhe zëri i partive më të vogla.

“Këto ditë ne do të bisedojmë në mbledhjet tona të rregullta që i mbajmë. Do të shohim të gjitha analizat, me partnerët tanë  do të bisedojmë do t’i shohim shpjegimet e tyre, por siç thashë mbrëmë, mesazhi i partnerëve është shumë i palogjikshëm. Ne folëm me argumentet tona se pse është më mirë një njësi zgjedhore, janë mbajtur takime, vendimi është sjell nga ana e partive politike. Nuk guxojmë të mos e dëgjojmë edhe zërin e partive më të vogla politike”, tha Zaev.

Për BDI-në ndryshimi i modelit zgjedhor në një njësi të vetme zgjedhore është i dëmshëm për shqiptarët. Ndërsa Bujar Osmani tha se dorëzimi i amendamenteve nga BDI nuk ka asnjë lidhje me raport në koalicionin BDI-LSDM. Gjithashtu shtoi se BDI nuk ka qenë as e informuar për dorëzimin e propozimit në Kuvend për ndryshim të modelit zgjedhor.

“Është e vërtetë se një njësi zgjedhore i konvenon BDI-së sepse matematikat thonë se BDI si parti e madhe shqiptare mund të marrë rreth 2 deputetë më tepër me një njësi se sa me 6. Mirëpo numrat, simulimet thonë se numri i përgjithshëm i deputetëve shqiptarë zvogëlohet për 8 deri në 10. Vlerësoni ju se a është me rëndësi të ketë BDI dy deputetë më tepër  apo shqiptarët të humbin 8 –10 deputetë. Andaj kjo çështje nuk ka lidhje me raportet tona mes koalicionit ose raportet tona ndaj LSDM-së apo  kujtdoqoftë”, deklaroi Osmani.

Nga opozitarja VMRO-DPMNE thonë se model i ri i zgjedhor me vetëm një njësi zgjedhore është tentim i LSDM-së për të shtyrë zgjedhjet e 12 prillit.

“Kërkesa e tillë vetëm e rrit dyshimin se me ndryshimet e tilla qëndron frika nga humbja në zgjedhjet të cilat vijnë dhe motivet që të keqpërdoret procesi zgjedhor me qëllim që të falsifikohet vullneti i qytetarëve. Nuk ka ndodhur deri tani që të ndryshohet model zgjedhor pa konsensus  dhe nuk ka ndodhur deri tani që të ndryshohet model zgjedhor pa pjesëmarrje të partive politike”, pohoi Aleksandër Nikollovski.

I gjithë debati mes BDI-së dhe LSDM-së filloi pas parashtrimit të 6000 amendamenteve të BDI-së për mos-ndryshim të modelit zgjedhor. Nga VMRO-DPMNE thonë se  me LSDM-në kanë pasur marrëveshje që modeli zgjedhor të ndryshohet pas zgjedhjeve të 12 prillit./ TV 21

 

Back to top button