Molliqaj pas lirimit: Më morën peng

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, sonte deklaroi pas lirimit të tij se ai është marrë peng dhe jo arrestuar, duke qenë se nuk kishte fletëarrest për të.
“E para që mund të konstatoj është se unë kam qenë i marrë peng. Pra, unë jam marrë peng nga një polici e cila është dirigjuar me udhëheqje politike dhe pa urdhër të prokurorit unë jam arrestuar”, tha ai në T7.
Molliqaj tha se është arrestuar me dhjetëra herë viteve të fundit, por asnjëherë pa vendim të prokurorit, për çka ka kërkuar që të nisin hetimet në lidhje me arrestimin e tij.
Molliqaj tha se duke e njohur procedurën, e ka ditur se arrestimi i tij është i jashtëligjshëm.
Sipas tij, ftesa e policisë, që është publikuar edhe nga vet institucioni, edhe me vendim gjykate është konstatuar se nuk i ka plotësuar kushtet që të llogaritet se një ftesë është dorëzuar.
Kryetari i PSD-së shtoi se ka pasur shkele të rënda në arrestimin e tij dhe për këtë do t’ju shkruajnë të gjitha ambasadave si dhe organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Gjykata Themelore në Prishtinë, sonte ka informuar se ka caktuar masën e paraqitjes në stacionin policor kundër kryetarit të PSD-së, Dardan Molliqaj.

Back to top button