Molliqajt i caktohet masë paraqitjeje në stacionin policor
Gjykata Themelore në Prishtinë, sonte ka informuar se ka caktuar masën e paraqitjes në stacionin policor kundër kryetarit të PSD-së, Dardan Molliqaj.
Masa e paraqitjes në stacionin policor kundër Molliqajt, sipas gjykatës, do të llogaritet në kohëzgjatje prej 1 muaji, duke filluar që nga data 01.02.2022 deri më 01.03.2022.
“Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit të datës 02.02.2022 kundër të pandehurit D.M. e ka refuzuar si të pa bazuar dhe ndaj të njëjtit ka caktuar masën e paraqitjes në stacionin policor. Konform nenit 178 paragrafi 4 të KPPRK, gjykata mund të caktoj masën më të rëndë – paraburgimin, nëse i pandehuri D.M shkel masën e shqiptuar. Gjykata konstaton se përmbushet dyshimi të bazuar i paraparë me nenin 187 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 të KPPRK-së nuk plotësohen asnjëra nga kushtet e parapara ligjore nga neni 187 paragrafi 1 nën par 1.2, pika 1.2.1, 1.2.2, dhe 1.2.3 të KPPRK-së, parakushte këto për tu caktuar masa e paraburgimit.”, është bërë e ditur në komunikatë.
Kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.
Ndryshe, kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj është arrestuar më 1 shkurt nga Policia e Kosovës. Ai është arrestuar derisa ka qenë duke shkuar në një emision televiziv. Molliqaj është ndaluar nga disa pjesëtarë të policisë, të cilët e kanë futur në veturë.
Kreu i PSD-së kishte goditur shuplakë një pjesëtar të Policisë së Kosovës në protestën kundër shtrenjtimit të rrymës. Molliqaj kishte thënë në lidhje me incidentin se përgjegjësia i bie atij, porse ai ishte ofenduar me fjalë nga zyrtarët policorë./21Media