Moment historik, Kosova përfaqësohet në Paris edhe në Lojërat Paralimpik

Për herë të parë Kosova do të përfaqësohet në Paris edhe në Lojëra Paralimpike. Në këtë sport, Kosova do të përfaqësohet nga atleti Grevist Bytyçi dhe sipas Presidentes së Komitetit Paralimpik të Kosovës, Njomza Emini është një arritje dhe moment historik për Kosovën.
“Sot ndodhemi para një momenti historik që ka realizuar ëndrrën tonë të kahmotshme. Për herë të parë në historinë e sportit tonë Kosova do të përfaqësohet në Lojërat Paralimpike ‘Parisi 2024’. Ky është një moment që nuk shënon vetëm një arritje për sportistët tanë, por edhe për të gjithë ne si komb. Rrugëtimi deri këtu ka qenë plot sfida, por fal partnerëve kjo po bëhet e mundur, një ëndërr që po realizohet…Është moment triumfi sepse e kemi vendimin zyrtar që Grevist Bytyçi do të jetë në hapjen Lojërave Paralimpike Botërore në Paris 2024”, theksoi Emini.
Moment krenarie kombëtare këtë arritje e quajti edhe zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës, Emilija Rexhepi, derisa u zotua se qeveria do t’i mbështesë sportistët me infrastrukturë dhe mjete financiare.
“Përmes investimeve në infrastrukturë, programe trajnimi dhe mbështetje financiare ne synojmë të sigurojmë që çdo sportit të ketë mjetet dhe resurset e nevojshme për të arritur potencialin e tij të plotë. Sportistët, sporti është një fushë ku pasioni dhe përkushtimi tejkalojnë çdo pengesë dhe ne jemi të përkushtuar të mbështesim këtë. Pjesëmarrja jonë për herë të parë në Lojërat Paralimpike ‘Paris 2024’ është një arritje historikë dhe një moment krenarie për të gjithë kombin tonë”, theksoi Rexhepi.
Ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guérot, me këtë rast deklaroi se lojërat në Paris janë një mundësi ideale për shkëmbim të përvojave ndërmjet Kosovës dhe Francës.
“Organizimi i lojërave në Francë është gjithashtu një mundësi e shkëlqyer për ne që të ndajmë përvojën tonë me Kosovën, e cila do të organizojë Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030. Sepse miqtë i qëndrojnë pranë Kosovës, është populli, është komuniteti dhe unë me të vërtetë shpresoj se delegacionet e Kosovës në lojërat në Paris do të kenë kujtimet më të mira të pjesëmarrjes së tyre dhe u uroj atyre fat të mirë”, theksoi ai.
Kurse ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç u shpreh i bindur se Kosova do të ketë një përvojë të suksesshme në Paris.
“jam i sigurt se do të keni një përvojë shumë të suksesshme në Paris. Dhe si ambasador i Turqisë, jam i nderuar të jem pjesë e kësaj duke i mbështetur ata për të marrë një pjesë të stërvitjet e tyre në Turqi, Izmir, dhe gjithashtu dua t’ju them se për mendimin tim sporti nuk ka kufij, ndaj vlerat e përfaqësuara nga Olimpiada e cila u përshkrua shumë mirë nga miku im i dashur Olivier, solidariteti i konkurrencës së ndershme, këto vlera për mendimin tim i përfaqëson Republika e Kosovës, sepse Kosova bashkon gjuhë të ndryshme, fe të ndryshme, kultura të ndryshme nën të njëjtën ombrellë. Pra, jam i sigurt për suksesin e Kosovës, suksesi i ekipeve paralimpike dhe olimpike të Kosovës do të jetë model edhe për atletët e ardhshëm paralimpik dhe olimpik”, tha ai.