Morata e “ringjalli vetën” pasi e kuptoi se kishte shënuar për Atletico Madridin

Alvaro Morata nuk e kuptoi se ishte ai që kishte shënuar për Atletico Madridin në fitoren ndaj Elches, pasi u rrëzua për shkak të një lëndimi.
Skuadra e Diego Simeones regjistroi një fitore solide me rezultat 2:0 ndaj skuadrës së fundit në tabelën e La Ligës, Elches për t’u ngjitur në vendin e tretë në tabelë, raporton KosovaPress.
Elche ia vështirësoi jetën Atleticos në pjesën e parë, megjithëse gjithçka ndryshoi kur Gonzalo Verdu u përjashtua me karton të kuq pak para pjesës së parë.
Atleticos i ndodhi e njëjta gjë tetë minuta pas fillimit të pjesës së dytë, ku Mario Hermoso ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë, kështu duke u përjashtuar me të kuq.
Rezultatin e zhbllokoi Joao Felix, ndërsa fitoren e Atleticos e vulosi Alvaro Morata me golin e tij në minutën e 74’. Por sulmuesit spanjoll iu deshën disa sekonda për ta kuptuar se çkishte bërë.
30 vjeçari e pranoi topin nga Antoine Griezmann, filloi të dribloj mbrojtësit e Elches dhe më pas lëshoi një goditje, e cila u devijua nga mbrojtësi i Elches.
Morata u rrëzua menjëherë brenda zonës me pretendimin se kishte ndërhyrje të palejueshme ndaj tij, duke harruar se kishte bërë një goditje, e cila pas devijimit kishte përfunduar me gol.

Back to top button