Mos dilni pa çadër në dy ditët në vazhdim

 

 

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se situatë afërsisht e ngjashme meteorologjike do të paraqitet gjatë dy ditëve në vazhdim.

Të premten në fushat termike nuk parashihet ndryshim, por që një sistem i vranësirave të dendura parashihet të krijohet gjatë pjesës së dytë të ditës dhe si rezultat i këtij procesi fizik, pritet të ketë reshje shiu të përcjella me shkarkime rrufesh.

Sipas IHMK-së, reshjet më intensive parashihen në perëndim dhe veriperëndim të vendit, kurse pjesët tjera do të kenë më pak reshje, sidomos jugu dhe juglindja e vendit, ku mund të ketë vetëm riga të izoluara shiu, derisa një pjesë e madhe e këtij territori nuk do të kenë fare reshje.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 12-14 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 20-26 gradë Celsius.

Do të fryjë erë nga drejtimi i juglindjes me shpejtësi 1-7 m/s në rrafshin e Kosovës, kurse në pjesën e rrafshit të dukagjinit, shpejtësia e erës do të arrijë deri 14 m/s, njofton tutje Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës./21Media

Back to top button