Mos i ofendoni më polakët, i thotë kryeministri i Polonisë-Zelensky-t

Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki i ka thënë Volodymyr Zelensky-t që të mos “fyej më kurrë polakët” pasi presidenti ukrainas sugjeroi se fqinji i tij po bënte një shfaqje mbi mosmarrëveshjet e tyre mbi eksportet e grurit.

Udhëheqësi polak iu kundërpërgjigj Zelenskyt pasi udhëheqësi ukrainas ofroi një kritikë të fshehtë ndaj Polonisë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara këtë javë, duke thënë se mosmarrëveshja ishte “teatër politik” dhe se “disa nga miqtë tanë në Evropë” kanë “bërë një thriller”.

“Dua t’i them Presidentit Zelensky që të mos i ofendojë më polakët, siç bëri kohët e fundit gjatë fjalimit të tij në OKB. Populli polak nuk do të lejojë kurrë që kjo të ndodhë dhe mbrojtja e emrit të mirë të Polonisë nuk është vetëm detyra dhe nderi im, por edhe detyra më e rëndësishme e qeverisë polake”, shtoi kryeministri polak.

Komentet e Morawiecki rrezikojnë të thellojnë ndarjet midis dy vendeve që më parë kanë qenë aleatë të ngushtë të bashkuar kundër pushtimit rus të Ukrainës.

Tensionet mes tyre janë rritur në javët e fundit lidhur me një ndalim të drithit ukrainas, i vendosur fillimisht në fillim të këtij viti nga disa vende të BE-së për të mbrojtur jetesën e fermerëve vendas të shqetësuar për uljen e çmimit të grurit ukrainas.

BE-ja njoftoi planet për të pezulluar ndalimin javën e kaluar, por Polonia – së bashku me Hungarinë dhe Sllovakinë – tha se do të qëndrojë me të, duke shkaktuar protesta nga Ukraina, e cila ngriti padi kundër tre vendeve dhe, më pas, komentet e Zelensky në OKB./21Media

Back to top button