Mos veprimi i policisë në Kuvend, Spasovski: Të japin llogari ata që hapën dyert

Nuk mungoi përgjigja nga VMRO-DPMNE në adresë të Spasovskit

Ata që hapën dyert e Kuvendit duhet të japin llogari. Këtë e kërkon ish-ministri i brendshëm dhe sekretari i përgjithshëm i LSDM, Oliver Spasovski. Ai e drejton gishtin nga tre deputetët e VMRO-DPMNE-së, deputeti Johan Tarçulovski që duket në pamje se si e  orienton turmën ta ndjekin nga pas, kurse deputetët Sasho Vasilevski dhe Krste Mukovski shihen të parët pas dyerve të hapura nga protestuesit mbrëmjen e dhunshme të 27 prillit, shkruan tv21.tv

“Megjithatë, përgjegjësinë më të madhe duhet ta japin ata që i kanë hapur dyert e Kuvendit. Shohim pamje të ndryshme nga ngjarjet në Kuvend, dhe mund të identifikohen personat, të cilët i kanë hapur dyert e Kuvendit të Maqedonisë nga brenda. Ata ishin fajtorët kryesorë që protestuesit dhunshëm hynë në Kuvend dhe besoj që në atë grup njerëzish, të cilët ishin marrë vesh të vrasin deputetët e Maqedonisë, bëjnë pjesë edhe që ishin jashtë, por edhe ata që ishin brenda”, u shpreh Oliver Spasovski, Ish-Ministër i Punëve të Brendshme.

Ai thekson se Ministria e Punëve të Brendshme nuk do t’ju shërbej më interesave partiake, por duhet të bëhen reforma rrënjësore me qëllim që policia të jetë sa më profesionale.

Nuk mungoi përgjigja nga VMRO-DPMNE  në adresë të Spasovskit të LSDM-së. Orce Gjeorgjievski nga VMRO-DPMNE thekson se Oliver Spasovski për 9 muaj sa ishte në funksionin e Ministrit të punëve të brendshme, kanë ndodhur parregullsi të shumta në radhët e policisë.

“LSD nuk mund të ofroj as demokraci, as reforma dhe as profesionalizëm. Dyfytyrësi e skajshme është të flitet sot për profesionalizmin e policisë, të cilën gjoja se do ta sjellin, kur i njëjti ai Oliver Spasovski, i cili ishte për disa muaj Ministër i punëve të brendshme, brutalisht ka bërë partizimin e policisë”, tha Orce Gjeorgjievski, VMRO-DPMNE.

Në mesin e protestuesve u pa se si hyri në Kuvend edhe drejtori i Arkivit shtetëror, Filip Petrovski. I pyetur nga TV21, se si e komenton prezencën e tij në Kuvend në mesin e turmës më 27 prill, ai me sms tha: “Unë brenda isha me POPULLIN. Ju porosis që mos ta nënvlerësoni.”

Ndërkohë, nga dita e premte për tu rrëfyer për atë se çka kishte ndodhur natën e 27 prillit, Prokuroria Publike Themelore ka thirr deputetët si protagonistë kryesor të ngjarjes së dhunshme, por edhe funksionarë të tjerë publik./21Media

Back to top button