Mosha e duhur që fëmijët të mësojnë një gjuhë të huaj

Mësimi i gjuhës së huaj në moshë të vogël gjithnjë e më shumë po vërehet te të gjithë fëmijët, sidomos gjuha angleze.
Kjo mund të ketë përfitime, por sipas psikologut klinik, Imri Zabelit kjo mund të ketë edhe efekte anësore.
Zabeli për rtv21.tv ka thënë se kjo dukuri është bërë e zakonshme te fëmijët vitet e fundit për shkak të përdorimit të teknologjisë.
“Mësimi i gjuhës së dytë para moshës 3 vjeçare ndonëse tashmë është bërë e zakonshme për fëmijët shkaku i përdorimit të teknologjisë, mund të ndikoj në frustrimin që sjell konfuzioni i cilës fjalë në cilën gjuhë duhet ta përdorë, pasi që gjuhën amtare akoma nuk e ka zhvilluar në nivel të përdorimit të fjalive të thjeshta”, ka thënë Zabeli.
Por cila është mosha e duhur që një fëmijë të mësoj një gjuhë të dytë sipas psikologut?
Sipas tij, mosha ideale që një fëmijë të filloj mësimin e gjuhës së dytë është mosha ndërmjet 4-8 vjeçare.
“Mësimi i gjuhës së dytë, preferohet të nis pasi që fëmija të ketë formësuar gjuhën amtare, e që është pas moshës 3 vjeçare dmth ndërmjet 4 -8 vjeç”, ka thënë Zabeli.

Në Kosovë, gjatë shkollimit gjuhët e huaja fillojnë të mësohen nga klasa e gjashtë. Kështu për portalin rtv21.tv ka bërë të ditur Zëdhënësja e Ministrisë se Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Iliriana Pylla.
“Gjuha e dytë fillon të mësohet në shkallën e tretë (klasa e gjashtë). Si gjuhë e dytë mund të jetë: njëra nga gjuhët e huaja si gjuha gjermane, gjuha frënge, gjuha italiane etj. dhe/ose gjuhët e mjedisit (gjuha serbe, boshnjake, turke) sipas zgjedhjes së lirë të nxënësve”, ka thënë Pylla.
Ajo tutje ka treguar se gjuhët e tjera fillojnë në shkollën e mesme të lartë (gjimnaze dhe shkolla profesionale), si pjesë e kurikulës me zgjedhje.
Sipas saj, në këtë grup mund të përfshihen gjuha latine, gjuha e vjetër greke apo ndonjë gjuhë tjetër. Këto lëndë mund të mësohen si të obligueshme në gjimnazet e specializuara dhe në shkollat profesionale, varësisht nga drejtimet dhe profilet e caktuara.
Njohja e një gjuhe të huaj ofron jo vetëm mundësinë për të komunikuar, por të njihesh me kultura e njerëz të ndryshëm./21Media

Back to top button