Moska akuzon Kievin për “provokime” në centralin bërthamor në Ukrainë
Rusia ka akuzuar trupat ukrainase për sulme “të pamatura” në termocentralin bërthamor të Zaporizhzhia.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme në Rusi, Maria Zakharova, tha se Ukraina po përpiqet ende të rimarrë kontrollin e uzinës, të cilën Moska e pushtoi në mars. Ajo tha se Ukraina ka kryer sulme kundër “infrastrukturës kritike” të uzinës, duke kërcënuar Evropën, shkruan BBC.
Ajo pretendoi se të shtunën, forcat ukrainase bombarduan “objektet infrastrukturore” në Enerhodar, ku ndodhet termocentrali, dhe u përpoqën të merrnin kontrollin e digës Kakhovka duke zbarkuar trupa në bregun lindor të lumit Dnipro për të kapur termocentralin.
Sulmet ukrainase u zmbrapsën nga “veprimet e shkathëta dhe vendimtare” të forcave ruse, tha Zakharova, duke i kërkuar Ukrainës dhe “sponsorizuesve të saj perëndimorë” që të “ndalojnë provokimet e pamatura dhe të rrezikshme për aksidente”.
Si Ukraina ashtu edhe Rusia akuzojnë njëra-tjetrën për bombardime të vazhdueshme të uzinës, pavarësisht shqetësimeve globale se kjo mund të çojë në një incident të madh rrezatimi në Evropë./21Media