Moti jostabil gjatë dy ditëve të ardhshme
Instituti Hidrometorologjik i Kosovës sot ka informuar se gjatë dy ditëve të ardhshme, në Kosovë do të mbajë mot i ndryshueshëm dhe jostabil.
Sipas parashikimeve, të premten parashihet të mbajë mot i vranët dhe vende-vende me riga shiu kryesisht në perëndim të vendit dhe juglindje, ndërsa, viset kodrinoro-malore me lartësi mbidetare mbi 800m reshjet do të jenë në formë dëbore.
“Të shtunën reshjet parashihen të përfshijnë gjithë territorin, intensiteti i tyre do të jetë mesatar dhe mesatarisht i lartë, duke krijuar mundësi që në disa zona të shkaktojnë vështirësi. Të dielën reshjet parashihen të jenë në formë dëbore për shkak të masave të ajrit të cilat vijnë nga veriu i kontinentit dhe bashkë me këto ndryshime priten edhe ulje në fushat termike, kryesisht në vlerat e minimaleve.”, ka bërë të ditur IHMK.
Sipas parashikimeve, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 0 deri 1 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 3-7 gradë Celsius.
Do të fryjë erë kryesisht nga juglindja me shpejtësi 1-9m/s.
“Java e ardhshme parashihet me më pak reshje, por sa i përket temperaturave, ato do të shënojnë ulje në të dy vlerat ekstreme.”, ka informuar tutje IHMK./21Media