MPB mban ceremoninë hapëse të sesionit të tretë të Konferencës Ndërkombëtare për Administratë Publike

Ministria e Punëve të Brendshme mban ceremoninë hapëse të sesionit të tretë të Konferencës Ndërkombëtare për Administratë Publike KosovaPAR2025
Ministria e Punëve të Brendshme ka mbajtur sot ceremoninë hapëse të sesionit të tretë të Konferencës Ndërkombëtare për Administratë Publike KosovaPAR2025.
Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, akademikë, rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, ekspertë vendor dhe ndërkombëtar, si dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile.
Me temën “Capacity in PA for or through AI”, konferenca synon të nxisë përdorimin e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale si dhe të shtojë bashkëpunimin profesional dhe shkëmbimin e përvojave në fushën e administratës publike, me theks të veçantë në zhvillimin e reformave dhe inovacionit institucional.
Gjatë hapjes së sesionit të tretë u theksua rëndësia e administratës publike efikase si themel i qeverisjes demokratike dhe garantues i ofrimit të shërbimeve cilësore për qytetarët.
Gjatë fjalës së tij të rastit, Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla u shpreh se synimi për një administratë shtetërore moderne dhe efikase nuk ishte vetëm një premtim.
“Jam i lumtur të ju mirëpres sot në konferencën KOSOVAPAR 2025, ku do të kemi mundësi të diskutojmë për një temë shumë të rëndësishme dhe aktuale, kapacitetet e administratës publike për apo përmes inteligjencës artificiale. Kjo konferencë ndërkombëtare që organizohet për herë të tretë në Kosovë tregon se synimi për një administratë shtetërore moderne dhe efikase nuk ishte vetëm një premtim. Ne kemi krijuar reformimin dhe jemi këmbëngulës që administratën publike ta kthejmë në një shërbim të përkushtuar në mbështetje të secilit qytetar, të bindur se kjo është mënyra më e mirë për të arritur drejtë objektivave qeveritare për mirëqenie e zhvillim”, tha Sveçla.
Përveç ministrit në detyrë, fjalë rasti kishte edhe profesoresha në Universitetin e South Wales, Catherine Althaus e cila tha se Kosova ka mundësi unike për të futur nga fillimi inteligjencën artificiale nw institucione.
“Kosova ka një mundësi unike, insititucionet tuaja janë mjaft të reja për të futur në punën e tyre parime etike për inteligjencën artificiale që nga fillimi dhe jo të i inkuadrojnë ato më vonë… Kosova ka përparësi, mund të bë projektime të rrjeteve për shembull të shteteve tjera që ju është dashur dekada që të harrojnë procese analoge. Nëse përdoret si duhet IA mund të bëj demokracinë më efektive, më gjithëpërfshirëse dhe të angazhojë qytetarët më shumë në vendimmarrje”, tha ajo.
Folësi kryesor Alistar Croll, shfaqi një prezantim për rëndësinë e implementimit të parimeve etike të inteligjencës artificiale dhe përgjatë tij tha se inteligjenca artificiale është shumë e lidhur me gjuhën.
“AI është më shumë se një zhvillim teknologjik, është diçka e re në botën e informatikës, nuk është e determinuar sipas kompjuterikës, rezulton se të paktën një pjesë e saj që ne e quajmë inteligjencë është shumë e varur në gjuhë dhe mund të nxirret vetëm me shikim me gjuhën. Është si të i mësosh një fëmije se çka është një gur, një dritë, një ndërtese, kështu e mëson se çka është një far edhe pse fëmija nuk e ka parë kurrë një të tillë”, u shpreh Croll.
Në fund të ceremonisë hapëse të konferencës, ministri në detyrë, Xhelal Sveçla ndau mirënjohje për Catherine Althaus dhe Alistar Croll.
KosovaPAR2025 do të vazhdojë me diskutime tematike dhe panele të specializuara, ku do të trajtohen praktikat më të mira të vendeve partnere dhe mundësitë për avancimin e politikave publike në Kosovë.
Konferenca do të përmbyllet me rekomandime konkrete për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe përmirësimin e administratës publike në përputhje me standardet evropiane. /kp