MSH reagon pas pretendimeve të një personi se e shëron autizmin: Mos bini pre e mashtrimeve

Ministria e Shëndetësisë ka dalë me reagim pasi një qytetar nga Gjilani, iu ka përshkruar ilaqe në vlerë mijëra euro fëmijëve, duke i paraqitur ato si trajtim për autizëm. Arianit Sllamniku ka publikuar edhe në rrjetin e tij social Facebook postime të kinse trajtimit të këtyre rasteve.
Ministria iu ka bërë thirrje qytetarëve që t’iu besojnë vetëm metodave të verifikuara shkencërisht dhe të mos bien pre e mashtrimeve.
“Ministria e Shëndetësisë ka ndjekur me shqetësim raportimet në media dhe rrjete sociale lidhur me pretendimet se një individ dyshohet se ka ofruar ilaçe, duke i paraqitur ato si trajtim për autizëm. Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve që t’u besojnë vetëm metodave të verifikuara shkencërisht, të cilat ofrohen nga institucione dhe profesionistë të licencuar shëndetësorë”, thuhet në reagim.
Ministria e Shëndetësisë ka thënë se ka njoftuar edhe institucionet kompetente dhe është në koordinim me Policinë e Kosovës për trajtimin e mëtejmë të çështjes.