Muja: Kandidati për president duhet të vijë me emër dhe mbiemër nga opozita

(Lajm i përditësuar)

Muja: Kandidati për president duhet të vijë me emër dhe mbiemër nga opozita

Profesori universitar Basri Muja në “Click” të RTV21 ka komentuar mungesën e një kandidature konsensuale nga partitë opozitare dhe rëndësinë e zgjedhjes së një presidenti që mund të stabilizojë situatën politike në vend.

Ai shtoi se, në këtë kontekst, një kandidat që vjen nga partitë opozitare dhe ka mbështetje të gjerë, përfshirë edhe nga partia më e madhe, do të ishte zgjidhja më e arsyeshme.

“Opozita e pati mundësinë të vinte, por nuk erdhi. Nuk ka logjikë në situatën kur partitë opozitare nuk paraqesin një propozim konsensual me ardhë partia e madhe. Shoqëria jonë është shumë e polarizuar dhe e politizuar për arsye historike, gjithmonë ka qenë kështu. Nevojitet një president që e stabilizon situatën politike, një president që e ndjen secila parti dhe secili deputet si të tij. Një i tillë mendojë se duhej të vinte me emër dhe mbiemër nga partitë opozitare”, tha Muja.


Muja: Nuk ka konsensus për zgjedhje të reja, Konjufca mund të ketë mbështetje

Profesori universitar Basri Muja në emisionin “Click” të RTV21 ka komentuar situatën politike lidhur me mundësinë e zgjedhjeve të reja dhe kandidaturën për president.

Sipas Mujës, ekzistojnë mendime të ndryshme për këtë çështje, por ai nuk e sheh si racionale organizimin e zgjedhjeve menjëherë për shkak të një dështimi të mëparshëm.

“Ka mendime të ndryshme për këtë çështje, sado që nuk më duket racional që të shkohet menjëherë në zgjedhje për shkak të një dështimi. Ne nuk jemi shumë të kornizuar në ato rregulla kushtetuese”, tha Muja.

Ai gjithashtu vuri në dukje mungesën e marrëveshjes dhe gatishmërinë e opozitës për të evituar zgjedhjet e reja.

“Nuk ka një marrëveshje, e pamë edhe nga deklaratat e LDK-së, që tha se do të bjerë gjithçka për t’i evituar zgjedhjet e reja. Me një situatë të tillë mendoj që vetëm votat e LDK-së nuk do të mjaftonin”, shtoi Muja.

Sa i përket kandidaturës për president, Muja tha se Glauk Konjufca mund të jetë një zgjidhje me mbështetje më të gjerë nga partitë, përfshirë edhe opozitën.

“Nëse vërtet jemi kthyer te kandidaturat partiake, besoj që do të jetë Glauk Konjufca i cili ka një pranim më të madh te partitë tjera dhe raporte të mira edhe me partitë opozitare”, tha Muja./RTV21/21Media

Back to top button