Muja për grevën në arsim: Fëmijët janë bërë pre e negociatave për 50-80 dhe 100 euro

Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Armend Muja, duke potencuar pakon e fundit të qeverisë për përballje me inflacionin, ka thënë se grevat duhet të ndalen sepse përfitues nga kjo mbështetje janë edhe mësimdhënësit.
Në seancën e parë plenare për sesionin vjeshtor, deputeti Muja ka kërkuar që të fillojë mësimi në shkolla dhe betejat politike të vazhdojnë në forma të tjera.
“Përfitues nga pakoja e fundit për përballje me inflacionin, janë edhe mësimdhënësit e Kosovës në ndërkohë që është viti i katërt që Kosova nuk e fillon mësimin sipas kalendarit të vitit të ri shkollor. Është evidente për mua që fëmijët janë bërë pre e negociatave, jo 50 euro, jo 80 euro, 100 euro. Mendoj se fëmijët e Kosovës duhet të kthehen në shkolla. Është e drejt kushtetuese dhe ligjore që shkollat e Kosovës të hapen, ndërsa betejat tona politike mund t’i kemi dhe t’i vazhdojmë në platforma të tjera, dhe fëmijët të kthehen në shkolla”, tha Muja.
Mësimdhënësit e të gjitha institucioneve publike në Kosovë janë në grevë, me kërkesën për mbështetje financiare prej 100 eurosh në muaj. Përjashtim bëjnë vetëm disa mësimdhënës që individualisht kanë nisur t’i mbajnë orët. Në grevë, nga 25 gushti, janë edhe punëtorët e administratës publike, si dhe shërbyesit civilë në institucione lokale dhe qendrore./21Media

Back to top button