Mungesa e barnave në Onkologji, pacientët shpenzojnë qindra euro për t’i blerë vetë ato

Pacientët e sëmurë me kancer po vazhdojnë të përballen me mungesë të barnave, të cilat siç thonë po detyrohen t’i blejnë nga xhepi i tyre duke shpenzuar qindra euro.
Në Klinikën e Onkologjisë të Qendrës klinike Universitare thonë se mungesa e barnave po u shkakton telashe në mjekimin e pacientëve për shkak të kostos së lartë që kanë ato. Ndërkaq Shërbimi Klinik Farmaceutik në QKUK bëri të ditur se shpejti të fillojnë me procedimin e porosive për barna dhe material shpenzues për tremujorin e këtij viti.
Pacientët e sëmurë me kancer dhe familjarët  e tyre shprehin shqetësim për mungesën e barnave teksa thonë se po detyrohen t’i blejnë ato nga xhepi i tyre.
“Qetash një injeksion dul e blejti 100 euro një edhe krejt tjerat duhet me i ble gati. Dikush qe ka mire dikush qe s’ka po u mungojnë’.
“Herë po ka herë s’po ka. Duhet me pas në klinikë por kah po shkojnë s’po dihet”.
 “Është shqetësuese sepse terapia është bukur e kushtueshme. Do i ka po shumicën duhet vetë me i ble. Një ampulë kushton 70 euro ka edhe shumë të tjera që i blejmë vetë”.
Në Klinikën e Onkologjisë të Qendrës Klinike Universitare pohojnë se mungojnë disa lloje të barnave për pacientë e sëmurë me kancer.
Drejtori i kësaj klinike, Arben Bislimi thotë se mungesa e tyre vështirëson mjekimin e pacienteve të sëmurë me kancer për shkak të kostos së lartë që ato kanë.
“Secili medikament e ka rolin e vet dhe dihet se sëmundjet malinje, trajtimi i tyre ka kosto. Çdo mungesë e çdo  medikamenti shkakton problem në menaxhim të pacienteve. Pavarësisht kostos se saj mendoj se nuk duhet  te kemi mungesa të tyre duke pasur parasysh edhe ekonomitë tona familjare qe nuk mund ta përballojnë një kosto  nëse duhet ato t’i blejnë”, tha Bislimi.
Për Shoqatën e  të drejtave të pacientëve  mungesa e barnave është një problem i vazhdueshëm  teksa shtron nevojën për kompensim të pacienteve që i blejnë vetë ato.
“…Shteti duhet ta merr obligim që t’i kompensojë secilin pacientë që ka blerë barna e që është dashur t’i blejë shteti”, tha Besim Kodra nga Shoqata e të drejtave të pacientëve.
Shërbimi Klinik Farmaceutik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës  në një përgjigje për RTV21 bëri të ditur se janë duke punuar në drejtim të përmirësimit me furnizimi me barna.
“Ju informoj se së shpejti do të fillojmë me procedimin e porosive për barna dhe material shpenzues për tremujorin e parë të këtij viti dhe besoj që do të kemi furnizim të qëndrueshëm me të gjitha produktet”, tha Shqipe Fetahu, U.D. e drejtoreshës së  Shërbimit Klinik Farmaceutik në QKUK.
Nga 198 milionë euro sa ishte në vitin 2022, buxheti për shëndetësinë gjatë këtij viti është 296 milionë euro, 60 milionë prej tyre janë ndarë vetëm për mbulimin e Listës së barnave esenciale./21Media

Back to top button