Mungesa e parave rrit kompensimet me mallra

Mungesa e qarkullimit të parave të gatshme në treg ka bërë që ekonomia në Kosovë të jetë e stërngarkuar me borxhe në mes bizneseve

Afaristët në Kosovë po ballafaqohen me mungesë të qarkullimit të parasë së gatshme në treg dhe si alternativë është rritur niveli i këmbimit të mallrave. Njëherësh është vështirësuar zhvillimi i veprimtarive të kompanive prodhuese.

Një situatë më e rënduar vërehet tek sektori i ndërtimit, që sipas udhëheqësve të shoqatës së ndërtimtarëve, në shumicën e rasteve, investitorët e objekteve në marrëveshje me kompanitë e kontraktuara për ndërtim, në këmbim të parave ofrojnë banesa.

Brahim Selimaj, kryetar i kësaj shoqate tha për Radion Evropa e Lirë se deri në 60 për qind e shumës së mjeteve financiare realizohet me kompensim, kurse pjesa tjetër me para të gatshme.

“Në një mënyrë, bankat komerciale në Kosovë janë ato që diktojnë që investitorët të jenë në pozita të palakmueshme për shkak të kamatave dhe afateve për marrjen e një kredie”.

“Në mungesë të kushteve të përshtatshme për marrjen e kredive, investitorët në mungesë të parave të gatshme, obligohen që këto kompensime të jenë nga më të ndryshmet, e të cilët nuk janë në favor as për investitorin dhe as për punëkryerësin, pasi nuk janë të përshtatshme”, tha Selimaj.

Mungesa e qarkullimit të parave të gatshme në treg ka bërë që ekonomia në Kosovë të jetë e stërngarkuar me borxhe në mes bizneseve. Një shqetësim të tillë e paraqet edhe Shaqir Palushi, pronar i kompanisë “Frutex” nga Suhareka, e cila merret me prodhimin e pijeve joalkoolike dhe energjike.

Ai tregon se për shkak të vonesave të kthimit të borxhit nga kompanitë me të cilat operojnë, detyrohet të hyjë në kredi në mënyrë që të realizojë pagesat e obligueshme për furnizuesit ndërkombëtarë.

“Në fakt, rastet kur ofrojnë kompensim, ndoshta janë rastet më të mira. Por, ka raste kur kompanitë janë me probleme financiare dhe nuk janë në gjendje as këtë formë ta ofrojnë”, thotë Shprehet Palushi.

Në anën tjetër, ekspertë për çështje ekonomike pohojnë se mungesa e parave të gatshme në treg është pasojë e nivelit të lartë të importit, çka ndikon që paratë e gatshme të dalin jashtë Kosovës.

Naim Gashi, ekspertë për çështje ekonomike, thotë se metoda më e vjetër e të bërit tregti është forma e këmbimit mall me mall. Kjo, sipas tij, tregon mungesën e parave në qarkullim tek kompanitë private.

“Në fakt bizneset kosovare ballafaqohen me një mungesë të potencialit financiar të të ardhurave dhe një pjesë detyrohen që prodhimet e tyre t’i plasojnë përmes shkëmbimit të mallrave me mall”.

“Mungesa e parave në kesh e vështirëson jashtëzakonisht mbylljen e ciklit të të bërit biznes, i cili fillon nga ideja, respektivisht plani për prodhime apo shërbime, e deri tek inkasimi. Mungesa e inkasimit të mjeteve e bën të pamundur vazhdimin e ciklit të biznesit, qoftë në sektorin e prodhimit, shërbimeve ose sektorë të tjerë”, thotë Gashi.

Këmbimi i mallrave është pjesë e ekonomisë i cili nënkupton ndërrimin e mallrave për mall ose për para. Këmbimi i mallrave është veprim ekonomik i nevojshëm, meqë në një vend nuk mund te prodhohen të gjitha prodhimet e nevojshme për jetën e njerëzve.

Back to top button