Murati: Dorëheqja e Qeverisë do të ishte efektive nëse certifikimi do të bëhej para 23 marsit

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se meqenëse ende s’është konstituuar Kuvendi, do të vazhdojë të marrë pagën e ministrit.
Ai ka thënë se me kalimin e mandatit katërvjeçar të Kuvendit, automatikisht edhe kabinetit qeveritar i kalon mandati, derisa shtoi se dorëheqja ishte e vetëkuptueshme.
Murati ka deklaruar se dorëheqja do të ishte efektive nëse certifikimi i zgjedhjeve do të kryhej para 23 marsit, kur Qeverisë i ka mbaruar mandati.
“Dorëheqja si akt i konsumuar me vetë përfundimin e mandatit, më 23 mars. Neni 26 i ligjit do të vlente në rastin kur, zgjedhjet u mbanë më 9 shkurt, e KQZ-ja të ishte më efektive në numërim dhe certifikimi të bëhej më 20 mars. Më 20 mars, Qeveria ka qenë në mandat dhe do të duhej të jepte dorëheqje, e pas 23 marsit dorëheqja është e vetëkuptuar…Deri në Qeverinë Kurti 3 do të ketë Qeveri Kurti 2”, ka thënë tutje ministri në detyrë.
Murati theksoi para mediave se disa prej komuniteteve joserbe ishin jashtë sallës së Kuvendit “duke diskutuar për koordinim mes tyre”.
“S’ka të bëjë me mungesë të mbështetjes, apo s’ka të bëjë me shpërfaqje të besimit”, shtoi ai.