Murati e Bajrami nuk ndalin përplasjet – tash rroken për inflacionin

Ministri në detyrë i Financave Hekuran Murati nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Hykmete Bajrami, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës, po vazhdojnë “kacafytjen” për çështje ekonomike në rrjetet sociale.
Ndërsa më herët Murati e Bajrami u përplasën rreth politikave qeveritare rreth mbështetjes së bizneseve dhe ngritjes së çmimeve, ata “kanë ndërruar” temë duke u përplasur rreth inflacionit, raporton KosovaPress.
Murati ka akuzuar partitë ish-opozitare se po merren me propagandë kur flasin për shkallën e inflacionit.
“Opozita që deri dje gënjente se po kolapsojnë bizneset, sot po e pranon që bizneset në fakt kanë rritje të qarkullimit si kurrë më parë. Mirëpo përsëri nuk dorëzohen në propagandën e tyre, sepse kur ua ofron argumentet e i demanton, ata e ndërrojnë temën. Por edhe kjo demantohet lehtësisht me fakte: Mesatarja e inflacionit për 6 muajt e parë krahasuar me periudhën e njëjtë në vitin e kaluar, sipas ASK-së është 2.84%. Kurse qarkullimi i bizneseve është rritur për 10.3%. Po të ishte i saktë pretendimi se inflacioni po e rritë qarkullimin, atëherë as qarkullimi nuk do të rritej më shumë se 2.84%. Por ja që qarkullimi i bizneseve është rritur 10.3%.”
Ish-ministrja e Financave nga radhët e LDK-së Hykmete Bajrami e ka quajtur Hekuran Muratin mashtrues duke thënë se inflacioni ka prekur më së shumti produktet e konsumit, gjë e cila dëshmohet me çmimet e larta ditore.
“Faleminderit Kushtrim Ajvazi, se sapo e kontrollova është e vërtetë ajo që ju keni deklaruar: sipas ATK-së, qarkullimi nuk është aq sa thotë Hekurani, por është 10 për qind më i ulët, pra nuk është 10.7 miliardë, por është 9.76 miliardë. Veç me EFT-në e Vukit dhe me NOA-n mund të krenoheni dhe me kompanitë që i keni regjistruar rishtazi për tregtim me energji. Mos i befasoni nëse ATK-ja detyrohet me dalë me ndonjë reagim. A ju kujtohet kur me urdhër të Hekuran Muratit, Zyra Kombëtare e Auditimit e pati ndryshuar Raportit Vjetor të Auditimit vitin e kaluar.”