Murati: Fitimi i Trustit ka kapur shifrën 203 milionë euro për 9 muajt e parë të vitit 2024

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka kujtuar një deklaratë të vitit të kaluar të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili kishte thënë se Qeveria po rri në gjumë ndërsa Trusti po humb gjysmë milionë euro në ditë.
“Përderisa kursimet pensionale, të fituara me shumë mund, humbasin vlerë nga gjysmë milion euro në ditë, populistët vazhdojnë rehatinë. Plot 36 milion euro është zhvlerësimi i fondeve nga janari deri më sot. Qeveria nuk gjen as brengën e as kohën të caktojë një Bord”, kishte thënë atëherë Abdixhiku.
Por, sot ministri Murati, duke shpërndarë deklaratën e Abdixhikut, tha se “kthimi/fitimi i Trustit ka kapur shifrën 203 milionë euro për 9 muajt e parë të vitit 2024”.
“Besoj u kujtohet parashikimi ogurzi që bënte Lumir Abdixhiku se si Trusti do të humbte nga gjysmë milionë euro në ditë. Kaq pra për seriozitetin e analizave e projeksioneve të tyre!”, ka shkruar Murati.