Murati – gjykatësve të Supremes: Mjaftonte të lexonit aktgjykimin e Kushtetueses, që të mos bëheshit horë

Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka vazhduar sulmet ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Supreme lidhur me vendimin për shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ për arkat fiskale, pavarësisht reagimeve të diplomatëve të cilat i quajtën këto sulme të papranueshme. Për dallim nga postimi i kaluar, këtë herë s’ua ka përmendur emrat.

Ai e ka vënë theksin tek pjesa ku Supremja ka thënë se askush s’mund të ushtrojë njëkohësisht funksionin e deputetit dhe të anëtarit të qeverisë.

Murati e ka quajtur këtë vendim absurd, teksa ka thënë se të tre gjyqtarët “në vend që të lexonin statuset në Facebook të deputetëve të opozitës”, do të duhej ta lexonin Aktgjykimin e Kushtetueses.

“Ky interpretim i këtyre tre gjykatësve është në kundërshtim flagrant me atë çfarë ka thënë vetë Gjykata Kushtetuese disa javë më herët. Në vend se të lexonin statuset në Facebook të deputetëve të opozitës, do të mjaftonte që tre gjykatësit e Supremes të lexonin Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me këtë çështje, që të mos bëheshin horë kaq publikisht me vendime absurde si ky për shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ për Arkat Digjitale Fiskale”, ka shkruar Murati në Facebook.

Ai ka thënë se gjyqtarët “gabimisht e përdorin shprehjen “konflikt interesi” ngjashëm si disa deputetë të opozitës).”

Back to top button