Murati-Hotit: Në pandemi i shpenzove 70 milionë euro, përfituan pronarët e bizneseve

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, i ka reaguar deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hotit lidhur me deklaratën e tij se kompanitë që kanë pasur kontrata me shtetin janë dëmshpërblyer me 8.5 mil euro për shkak të inflacionit.
Këtë Murati e ka cilësuas si “propagandë të LDK-së”, duke shtuar se raporti të cilit i referohet Hoti tregon se pagat në rritje mesatare gjatë vitit 2023 kanë qenë 17 për qind, duke shtuar se në mandatin e Hotit janë rritur 4 për qind.
Në një postim në Facebook, Murati i ka thënë Hotit se gjatë pandemisë ka shpenzuar 70 milionë për pronarët e bizneseve.
”Kur Avdullahu ka qenë Ministër i Financave, pagat i pati rritur për vetëm 4% në tërë mandatin, apo 15 euro për shumicën e shërbyesve publikë. Po i njëjti raport të cilit po i referohet Avdullahu, tregon që për pensionistët dhe për fëmijët, në vitin 2023 Qeveria Kurti ka ndarë 70 milionë euro shtesë, nga 100 euro për secilin. Kurse familjet në asistencë sociale për herë të parë janë mbështetur për blerjen e druve për ngrohje me 5 milionë euro.
Kur Avdullahu ishte Kryeministër në vitin 2020, 70 milionë euro i pati shpenzuar në emër të mbështetjes në pandemi, por ato para nuk patën shkuar as për pensionistë, as për fëmijë, e as për punëtorë madje. Përfitues të atyre 70 milionëve ishin pronarët e bizneseve, e ndër ta përfituesit më të mëdhenj ishin ata që në pandemi kishin fitimet më të mëdha – supermarketet”, ka shkruar Murati.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?