Murati: Humbjen më të madhe nga bllokada do ta kenë banorët në veri

Ministri i Financave Hekuran Murati deklaroi sot se nga bllokimi i rrugëve nga serbët më së shumti do të humbin banorët e veriut, të cilët po detyrohen të lëvizin në këmbë.
Murati në një konferencë për media, ku foli për rritjen ekonomike, tha se GDP-ja e Kosovës ka shënuar rritje 16.28 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
I pyetur për ndikimin e masës së reciprocitetit në targa me Serbinë, ai tha se është marxhinale vlera që mund të kalojë nëpër ato pika kufitare sa i përket prodhuesve vendorë.
“Besoj që humbjen më të madhe prej bllokadave në rrugë që janë bërë do ta kenë banorët e atyre zonave. Vetë banorët do ta kenë humbjen më të madhe, sepse për ta është bllokuar rruga, ata duhet të ecin në këmbë. Prandaj, do të ishte mirë që të mos kemi barriera të tilla, që të funksionojmë si dy shtete normale. Pra, ne nuk jemi të interesuar, siç ka thënë edhe kryeministri, që të kemi bllokada dhe tensione. Ne jemi të interesuar që të kemi reciprocitet, që kjo të realizohet ashtu siç parashihet. Deri më tani e keni parë që çështja tek eksporti dhe importi, është marxhinale vlera që mund të kalojë nëpër ato pika kufitare sa i përket prodhuesve tonë, mirëpo humbjen më të madhe do ta kenë banorët e asaj zone”, tha ai.
Murati tha se është lajm i mirë që aktiviteti ekonomik ka shënuar një rritje rekorde prej 16.28 për qind, e cila ka ndikuar që të ndryshojë edhe projeksioni për të ardhmen pasi që siç tha ai, pritet që deri në fund të vitit rritja ekonomike të arrijë mbi 10 për qind.
Shifrat që janë të aktivitetit ekonomik për sivjet, Murati tha se tregojnë për një rritje të ndjeshme ekonomike edhe nëse krahasohet me tremujor në periudha normale që nuk kanë qenë me kufizime të pandemisë.
Ministri Murati tha se këto të dhëna i mbështet edhe Administrata Tatimore e Kosovës dhe dogana. Ndërkohë që foli edhe për qarkullimin e bizneseve dhe të eksportit.
Ai foli edhe sa i përket punësimit, për çka tha se ka një rritje prej 22 mijë vendeve të punës.
“Sa i përket punësimit, nëse i marrim shifrat në fund të tremujorit të dytë, pra në qershor, dhe e krahasojmë deklarimin në ATK që ka qenë në fund të qershorit të vitit të kaluar, kemi një rritje prej 22 mijë vende pune…”, tha ai.

Back to top button