Murati: Janë regjistruar rreth 400 mijë pjesëtarë të diasporës
Sipas Muratit Regjistri i Diasporës dhe Mërgatës do të ketë ndikim në zhvillimin socio-ekonomik
Ministri në detyrë për Diasporë, Valon Murati tha të shtunën se diaspora vazhdon të jetë shtyllë e fuqishme socio-ekonomik ku brenda një viti remitencat arrijnë një miliardë e gjysmë euro.
Ai këto komente i bëri me rastin e publikimit të rezultateve preliminare nga Ministria e Diasporës të Regjistrit të Diasporës, në kuadër të projektit “Ti je pjesë e atdheut”. Rezultatet janë nxjerrë nga të dhënat e të regjistruarve aktivë deri më 31 dhjetor të vitit 2016.
Gjatë kësaj periudhe u tha se janë regjistruar rreth 400 mijë pjesëtarë të diasporës.
Ministri në detyrë Murati tha se diaspora ka ndikime tjera pozitive për vendin, jo vetëm me mbështetje financiare.
Sipas tij sa i përket shifrave nga 400 mijë aplikacione që janë pranuar nga stafi i kësaj ministrie kap numrin 342 mijë e 803.
Murati tha se Regjistri i Diasporës dhe Mërgatës do të ketë ndikim në politikat zhvillimore socio-ekonomike të vendit, njëherësh do të sigurojë një bazë të qëndrueshme për qëllime studimore dhe analiza të ndryshme.
Ai e quajti si sukses këtë proces ngase do të jetë një data- bazë për vendin dhe diasporën.
Të dhënat e siguruara nga regjistri kanë për qëllim evidentimin e numrit të saktë të pjesëtarëve të diasporës dhe mërgatës, shtrirjen e tyre gjeografike, strukturën demografike në funksion të ruajtjes së identitetit kulturor, gjuhësor dhe arsimor, si dhe zbatimin e politikave të përgjithshme në mbështetje të pjesëtarëve të diasporës dhe mërgatës.
Në këtë ngjarje, përveç publikimit të rezultateve preliminare, u hap edhe fushata sensibilizuese e regjistrit elektronik – Platforma elektronike, e cila do të jetë aktive deri në vitin 2022, kur do të publikohen rezultatet përfundimtare të këtij procesi.