Murtezaj nderohet nga Akademia Diplomatike e Vjenës

Akademia Diplomatike e Vjenës njihet si akademia më e vjetër në botë e diplomacisë

Në një ceremoni të veçantë, në prani të shumë personaliteteve të shquara nga Austria dhe bota, Akademia Diplomatike e Vjenës, ka nderuar zëvendës-ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, z. Valon Murtezaj, duke e pranuar atë në Dhomën e Famës Alumni të Akademisë Diplomatike.

Ky nderim i lartë akordohet për personalitetet më të shquara nga gjithë bota, që janë alumni të Akademisë Diplomatike të Vjenës.

Me këtë rast, Drejtori i Akademisë, Ambasadori, Hans Winkler, duke vlerësuar lartë Murtezajn si alumni të shquar të Akademisë, e ka falenderuar atë për pjesëmarrjen në ceremoninë e organizuar dhe për rolin dhe kontributin e tij në diplomaci.

“Jam mirënjohës pafundësisht për këtë nderim jetësor që më është bërë, nga ky Institucion me reputacion të lartë botëror dhe jam shumë i lumtur që si kosovar do mund të kontribuoj për botën edhe nga një dimension tjetër”, është shprehur Zv. Ministri Murtezaj.

Akademia Diplomatike e Vjenës njihet si akademia më e vjetër në botë e diplomacisë dhe një nga institucionet më prestigjioze botërore në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Këtë vit Akademia në Dhomën e saj të Famës, ka pranuar tre personalitete nga gjithë bota. Para disa viteve i njëjti nderim i është bërë Presidentes aktuale të Kroacisë./21Media

Back to top button