Musk kërkon dorëheqjen e shefit të Disneyt, shkak grindjet për reklama

Elon Musk ka kërkuar që shefi i Disneyt, Bob Iger, të shkarkohet menjëherë pasi kompania ndaloi reklamat në platformën X.

“Walt Disney po kthehet në varrin e tij, për atë që Bob i ka bërë kompanisë së tij”, vlerësoi Musk në një seri postimesh kundër gjigantit mediatik.

Kjo është një vazhdimësi e sharjeve që Musk e nisi një javë më parë pasi disa kompani iu bashkuan bojkotimit të reklamave në X mes shqetësimeve për antisemitizëm, shkruan BBC.

Iger bëri një rikthim në Disney, 12 muaj pas daljes në pension – për ta drejtuar atë në kohë të turbullta, pasi çmimi i aksionit të tij ra me shpejtësi dhe shërbimi i transmetimit Disney+ vazhdoi me humbje.

Në kohën e tij në kompani, ai është vlerësuar për blerjet e mëdha që përfshijnë studion e animacionit Pixar, kompaninë e librave komik Marvel, 21st Century Fox të Rupert Murdoch dhe Lucasfilm, shtëpia e Star Wars.

Këto lëvizje, si dhe hapjet e parkut zbavitës, ndihmuan që vlera e tregut të kompanisë të rritet pesëfish.

Multimiliarderi akuzoi gjithashtu Disney-n për reklama në platforma të tjera të mediave sociale që lejonin materiale të diskutueshme.

Javën e kaluar, në një shpërthim me sharje në një ngjarje në Nju Jork, Musk shau reklamuesit që kishin lënë X dhe paralajmëroi se ata do të vrisnin platformën e mediave sociale.

Ai akuzoi gjithashtu kompanitë, duke përfshirë Disney, Apple dhe Comcast, të cilat kanë ndërprerë reklamat në faqe, se janë përpjekur ta shantazhojnë atë.

“Unë nuk dua që ata të reklamojnë,” tha Musk në përgjigje të një pyetjeje në Samitin e DealBook të New York Times.

Musk ka qenë në një vizitë në Izrael pasi u duk se mbështeti personalisht një teori konspirative antisemitike muajin e kaluar. Ai mohoi se postimi ishte antisemitik, por kërkoi falje, duke thënë se mund të kishte qenë gjëja “më budallaqe” që kishte shpërndarë ndonjëherë në internet.

Megjithatë, shumë reklamues tashmë kishin zgjedhur t’i shpenzonin paratë e tyre diku tjetër.

Në korrik, Musk pranoi në një postim në X se të ardhurat nga reklamat kishin rënë me 50%.

Back to top button