Mustafa: Do lehtësohësha po ta dija se pse qytetarët e ndëshkuan me votë LDK-në

 

Kryetari i dorëhequr i LDK-së, Isa Mustafa përmes një postimi në rrjetet sociale ka komentuar edhe njëherë rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurit

Ai ka thënë  se dorëheqjen nga kreu i LDK-së e ka bërë si një gjest normal e jo si akt pendimi.

“ Sepse po të kthehesha edhe njëherë mbrapa, njëjtë do ta drejtoja LDK-në. Me orientime zhvillimore, proevropiane, partneritet me SHBA-të, pa skandale dhe të pakorruptuar. Unë do tu kërkoja falje juve qztetarë dhe veprimtarëve të LDK-së, sikur LDK të penalizohej nga elektorati për qeverisje të korruptuar dhe të padijshme!”, ka thënë Mustafa,

Duke numëruar të gjitha veprimatritë e tij si kryetar i Prishtinës e pastaj si kryeministër, po ashtu edhe veprimtaritë e qeverisë Hoti, Mustafa iu është drejtuar me një pyetje qytetarëve.

“Unë do të isha i lehtësuar po ta dinja se pse qytetarët e ndëshkuan me votë LDK-në në këto zgjedhje. E ndëshkuan, sepse nuk u nënshtrua ndaj propagandës së majtë, ndaj dhunës dhe presionit, ashtu siç nuk u nënshtrua nga Serbia në vitet e nëntëdhjeta. Apo, pse???Se është ndëshkuar, pse e kemi prishur koalicionin me VV-në, unë nuk pendohem, sepse do ta prishja edhe sot. Ndërmjet SHBA-së dhe VV-së, LDK ka zgjedhur partneritetin me SHBA-të. Ndërmjet konfrontimit me administratën e Presidentit Tramp dhe me Lëvizjen Vetëvendosje, LDK ka zgjedhur të evitojë çdo konfrontim dhe acarim të marrëdhënieve me SHBA por është rreshtuar në ndërtimin e raporteve miqësore.”, ka shkruar ndër tjerash Mustafa.

Ai tutje ka adresuar kritika ndaj kandidatit për kryeministër nga LVV-së Albin Kurti dhe kandidates për president Vjosa Osmani  se kanë “mungesë elementare të dijes për të qeverisur.”. Ai ka treguar edhe pse nuk e ka uruar LVV-në për fitore.

“Për dallim prej disa bashkëpunëtorëve të mij, unë nuk e kam uruar Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren e saj. Jo se e urrej por se nuk ia dua vendit tim të sundohet nga asnjë parti politike; se nuk gjej arsye të uroj votuesit e deridjeshëm të LDK-së se kanë kaluar në Vetëvendosje, sepse LDK nuk heq dorë nga ata. Sepse LDK nuk dorëzohet. Do të kthehet edhe më e fortë. “, ka thënë Isa Mustafa.

Ndërsa në fund është shprehur se dëmtimi i LDK-së me votat e fundit është krejtësisht i padrejtë dhe rezultat i propagandës populliste.

“Të penalizohet një parti shtetformuese e padhunshme dhe e pakorruptuar është sinjal i keq për të ardhmen e këtij vendi. “, ka përfunduar ai.

LDK në këto zgjedhje ka dalë si partia e tretë, duke pasur një rënie të konsiderueshme të votave./21Media

Back to top button