Mustafa: Luftimi i korrupsionit faktor kyç për investitorët e jashtëm

Mustafa thotë se kanë bërë reforma

Lufta kundër korrupsionit është faktor kyç për investitorët e jashtëm sipas kryeministrit në detyrë, Isa Mustafa. Sipas tij, duhet të punojnë më shumë në mënyrë që investitorët e jashtëm të mos kenë kosto shtesë të investimeve të tyre që ndërlidhen me krimin dhe me korrupsionin.

Kryeministri në detyrë, Isa Mustafa, tha se sa i përket legjislacionit Kosova e ka të harmonizuar me legjislacionin evropian dhe në këtë aspekt sipas tij nuk ka problem. Por, problem sipas Mustafës është çështja e stabilitetit politik.

“Çështjet e stabilitetit politik dhe stabiliteti institucional me të cilat ne po ballafaqohemi, por në asnjë rast unë nuk konsideroj që stabiliteti politik duhet ta rrezikoj jetën ekonomike, sepse ne kemi bërë reforma të mjaftueshme dhe kemi siguruar një sistem që funksionon, duhet të mësohemi edhe me gjendjen politike të cilën ne duhet ta kapërcejmë sepse jemi në fazën e tranzicionit… Është e vërtetë se duhet të punojmë më shumë në mënyrë që investitorët e jashtëm të mos kenë kosto shtesë të investimeve të tyre që ndërlidhet me korrupsionin, që ndërlidhet me krimin”, tha ai.

Ndërsa, Kryetarja e Forumit të Gruas së LDK-së, Lirije Kajtazi, tha se kooperativat janë një mundësi e mirë e administrimit të drejtë të resurseve natyrore dhe njerëzore.

Kurse, Drejtori i Konrad-Adenauer Stiftung në Kosovë, Johannes Rey, tha se e ka parë të nevojshme mbështetjen e Kosovës pasi që ka parë se ekziston një tokë shumë pjellore.
“Kur erdha para dy viteve tek ju, kam qenë në restorantet e juaja dhe gjithmonë kam dëshirë të ha diçka të mirë, ushqimi juaj është shumë i mirë dhe e kam pyetur shërbyesin se çka jam duke ngrënë dhe nga vjen ky ushqim. Ai më tregoj se domatet vijnë nga Maqedonia, mishi që vjen nga Italia dhe vende të tjera. Pasi jam njohur me vendin tuaj brenda këtyre dy vite e gjysmë kam parë që ju keni tokën shumë pjellore dhe e kam shtruar pyetjen pse unë në Kosovë duhet të ha produkte të importuara. Kështu ka lindur ideja të mendojmë se si mund të zhvillohet bujqësia në Kosovë dhe kështu lindi ideja që të bëjmë një gjë të tillë për kooperativat”, tha ai.

Të gjitha këto u thanë në tryezën e organizuar nga Forumi i Gruas së LDK-së i mbështetur nga Fondacioni KAS me gratë në biznes me temën “Roli i Kooperativave në zhvillimin e bizneseve.

Back to top button