Mustafa: Pediatria, prioritet i qeverisë

Mustafa në Kongresin e gjashtë të Shoqatës së Pediatërve të Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në hapjen e punimeve të Kongresit të VI-të të Shoqatës së Pediatërve të Kosovës. Të pranishëm ishin edhe punëtorë shkencorë dhe pediatër nga SHBA, Shqipëria, Turqia, Rumania, Mali i Zi.

Në hapje të punimeve Mustafa theksoi rëndësinë që ka shëndeti i fëmijëve.
Ai tha se ky Kongres është jashtëzakonisht i rëndësishëm, pasi është fjala për një moshë dhe për një popullatë e cila meriton kujdes të veçantë, duke shprehur interesimin e Qeverisë që të ofroj kujdes të veçantë.

“Unë mund t’ju siguroj se në këtë kohë, Qeveria është e përqendruar që me vëmendje të plotë të mbështes sektorin e shëndetësisë, të mbështesim reformat në fushën e shëndetësisë dhe unë jam shumë i bindur se një Kongres i tillë, me pjesëmarrje të studiuesve nga Kosova dhe vendet e tjera, me më shumë se 60 punime shkencore, do të jap një kontribut të rëndësishëm edhe për neve në Kosovë edhe për politikat qeveritare të cilat do t’i ndërtojmë në fushën e Pediatrisë e cila fushë është me prioritet edhe në strategjinë tonë të shëndetësisë, por jo vetëm tek ne, por është me prioritet edhe në politikat që Kombet e Bashkuara i zhvillojnë në këtë fushë”, tha kryeministri.

Sipas një komunikate për media kryeministri, po ashtu, tha se është obligim i Qeverisë së Kosovës, por edhe i institucioneve tjera që të gjithë potencialin financiar dhe kadrovik ta orientojë në përmirësimin e pozitës së fëmijëve, në kujdesin shëndetësor për fëmijët, në uljen e vdekshmërisë të fëmijëve, në të cilën është arrit rezultat.

“Por, dëshirojmë që ky rezultat të jetë më i madh në mënyrë që ta përmirësojmë edhe gjendjen tonë që e kemi në regjion, por dhe në Evropë dhe të investojmë më shumë në kapacitete, pajisje, ndërtesa dhe personel në mënyrë që kjo fushë të ketë përkrahje më të madhe të Qeverisë dhe të institucioneve të Kosovës. Ne do të kemi investime në ndërtimin e kapaciteteve shëndetësore në këtë fushë dhe në spitalin e ri Pediatrik i cili do të filloj shpejt të ndërtohet. Kemi pasur edhe investime të veçanta në përkrahje me Bankën Botërore dhe institucionet tjera ndërkombëtare në këtë aspekt” shtoi ai.

Ndërsa Ramush Bejiqi, kryetar i Shoqatës së Pediatërve të Kosovës, përshëndeti të pranishmit në Kongresin e VI-të, duke theksuar ndër të tjera se numri kaq i madh i prezantuesve tregon energjinë dhe frymën pozitive të pediatërve./21Media

Back to top button