Mustafa: Qeveria ndëshkoi pensionistët me heqjen e shtesave

 

Deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Besian Mustafa deklaroi se Qeveria së Kosovës ka “ndëshkuar” pensionistët, stafin shëndetësor dhe institucionet e sigurisë. Sipas tij, qeveria në vend se t’iu kërkojë falje pensionistëve që pritën me orë të marrin vaksinën, ndëshkoi ata me heqjen e shtesave.

Ai gjatë interpelancës së ftuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, theksoi se pensionistët priten me makth që të sigurohet vaksina, e në kohën kur erdhi ajo ata u detyruan të presin me orë të gjata në rend.“Pensionistët kosovarë, prindërit, gjyshërit dhe gjyshet tona e kanë kaluar tërë jetën në pritje. Kanë punuar dhe kanë pritur plot durim e makth të çlirohemi nga regjimi i Serbisë. Kanë punuar dhe kanë pritur plot durim të pavarësohemi dhe të njihemi si shtet i pavarur. I kanë dëgjuar dhe kanë diskutuar plot një vit, plot durim dhe makth, lajmet se moshatarët e tyre po rrezikohen më së shumti nga COVID. Disa nga shoqet dhe shokët e tyre më nuk janë në mesin e tyre, për shkak se nuk ishte një vaksinë kundërCOVID. E kur vaksina u zbulua ata kanë pritur plot durim e makth që vaksinat e zbuluara të vinin në Kosovë. Dhe kur më në fund vaksina erdhi në Kosovë, edhe pse në numër jashtëzakonisht të vogël, kjo qeveri i detyroi pensionistët kosovarë të prisnin ende”, tha ai.

Sipas tij, qeveria në vend se t’iu kërkojë falje që dështoi në organizimin e vaksinimit, ndëshkoi ata me heqjen e shtesave.

“Në vend që t’iu kërkonte falje qeveria që dështoi në organizimin e vaksinimit të prindërve, gjysheve dhe gjyshërve tanë, sepse ishin tejet të zënë me zgjedhjet në Shqipëri, qeveria dhe militantët e tyre iu vërsulen pensionistëve. Iu vërsulen duke i akuzuar që nuk po kanë kulturë. E nuk po dinë të presin në rend. Imagjino! Qenkan bërë fëmijët e nipat që të qortojnë prindërit e gjyshet e tyre se qenkan të pakulturë dhe nuk po ditkan të presin në rend”, ka thënë Mustafa.

Mustafa nga foltorja e Kuvendit të Kosovës ka shtuar se qeveria e re njëjtë ndëshkoi edhe kategoritë tjera, të cilat tash e një vit po punojnë me orar të zgjatur e shtatë ditë në javë.

“Sipas tyre dhe logjikës së tyre, pensionistët e pakulturuar dhe të padëgjueshëm duhet ndëshkuar. Sipas qeverisë s’ka më shtesa për pensionistët derisa të disiplinohen, derisa të hyjnë rresht një për një. Të njëjtin ndëshkim disiplinues dhe qortues morën edhe punëtorët shëndetësorë edhe policët të cilët që mbi një vit punojnë me orar të zgjatur, shtatë ditë në javë, vetëm e vetëm për të na siguruar shërbime shëndetësore”, theksoi Mustafa.

Mustafa kërkoi nga ministri i Financave që të mos rritet borxhi publik, tatimet dhe mos ndëshkohen kategoritë e përfshira për dhënien e shtesave. Po ashtu, ka kërkuar edhe hapjen shtetit dhe ekonomisë për mërgatën, meqë sipas tij kështu do të krijohen zgjidhje afatgjate për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Back to top button