Mustafa: Qeveria s’ka arsye të vajtojë, të gjejë zgjidhje

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se Qeveria do duhej të kërkojë dhe të gjejë zgjidhje në këtë periudhë të ndërlikuar sociale, por edhe politike.
“Më së paku i takon të humbë kohë me arsyetime dhe me fajësime të të tjerëve. Çmimin e energjisë, të vajit, të derivateve të naftës, e shumë tjera, nuk i ngritën qeveritë e kaluara. Kjo opozitë nuk po e gjuan Qeverinë me shishe molotovi, me granata, me bomba, gaz lotsjellës, gurë.. Përpos një partie parlamentare e njërës jashtë parlamentit, opozita tjetër s’po ua prishë terezinë. Prandaj Qeveria s’ka arsye të vajtojë, por duhet të ngjeshët dhe të tregojë lidership. Sepse, qeverisja në kohë të rëndomta ec vet, e në kohë të vështira tregon lidership. Dije, organizim, drejtim”, ka shkruar ai.
Mustafa tutje ka thënë se nuk është rol i Qeverisë për ta edukuar dhe disiplinuar presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, e as për të bërë luftën në Ukrainë.
“Atje po lufton një popull i tërë me përkrahje të drejtë dhe solidarizim nga e gjithë bota. Ka edhe solidarizimin tonë. Nuk është roli i institucioneve të Kosovës, poashtu, të tmerrojë qytetarët çdo mëngjes se po na sulmon Serbia. Sepse, njerëzit shqetësohen, frikësohen; spekulantët i rrisin çmimet, kurse qentë e luftës kërkojnë hapësirë për të profituar. Në fund mbesin qytetarët që ju votuan, ata që e paguajnë çmimin e frustrimeve të pamenaxhueshme”, ka përfunduar Mustafa.
Pas rritjes enorme të çmimeve, sidomos çmimit të vajit, ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai e ka cilësuar këtë rritje si artificial. Po ashtu ka paralajmëruar masa për të gjitha marketet që po rrisin çmimet./21Media

Back to top button