Mustafa– Rizvanollit: Nuk i takon ZRRE-së të vendos për “tregun e hapur energjetik”, por ligjit dhe gjykatave- jo shkatërrim të sektorit privat

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i ka reaguar ministres në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli e cila ka thënë se “vendimi për tregun e hapur energjetik i takon ZRRE-së”.

Por, Mustafa ka thënë se nuk i takon Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE), por zbatimit të ligjeve, e jo shkatërrimit të sektorit privat.

Mustafa ka thënë se shihet nxitja e Qeverisë ndaj ZRRE-së për këto sjellje ndaj sektorit privat.

“Sjellja e Qeverisë në detyrë dhe e ministrave në detyrë, pa kontroll parlamentar dhe pa pasur kujt ti japin përgjegjësi shihet më së miri tek nxitja dhe përkrahja e sjelljeve të ZRrE-së për imponimin e tregut të lirë të energjisë, përkundër vendimeve gjyqësore dhe fakteve të dëmeve të pariparueshme të sektorit privat të biznesit. Nuk i takojnë ZRrE-së vendimet për tregun e lirë të energjisë, siç shprehet ministrja e ekonomisë, por këto vendime i takojnë respektimit të ligjeve dhe vendimeve të gjykatave, të cilat mbrojnë të drejtat e bizneseve, të punëtorëve të punësuar në to, të investimeve në këtë sektor, të mundësive të kthimit të kredive, me këtë edhe mbrojtjes së sektorit bankar dhe të konkurrencës. Ky Ligj  parasheh që të zbatohet kur krijohen rrethanat e një konkurrence në treg , në dobi të sektorit privat,  jo në shkatërrim të sektorit privat. Duhet të ruhemi nga pasojat e mendësisë dhe veprimeve shkatërruese! Shtet kemi aq sa kemi ekonomi.  Çfarë do të mbetet nga ky shtet nëse edhe këtë  ekonomi ia shkatërrojmë?”, ka shkruar Mustafa përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook.

Back to top button