Mustafa tregon arsyet pse LDK nuk do të jetë pjesë e dialogut

Mustafa: Marrëveshja nuk mund të bëhet nga njerëz pa votë qytetare

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka bërë të ditura arsyet pse partia e tij nuk ka pranuar që të jetë pjesë e dialogut Kosovë-Serbi.

Mustafa ka thënë se LDK nuk mund të jetë njëherazi opozitë dhe pozitë.

“LDK, tani është në opozitë. Roli i saj është i faktorit korrektues ndaj atyre që ushtrojnë pushtetin. LDK nuk mundet me qenë njëherazi edhe në opozitë edhe në pozitë. Në opozitë kemi dalë, jo me dëshirën tonë por me votë të qytetarëve. Nga opozita do të punojmë në të mirë të Kosovës dhe të qytetarëve tanë”, ka thënë ai në postimin e tij
Sipas Mustafës edhe PSD po bëhet kumbarë i koalicionit aktual.

“Me votë mosbesimi Qeverinë e drejtuar nga LDK e ka rrëzuar PDK (si partner yni qeverisës) përmes dorës së Nismës e cila ia kreu shërbimin e organizimit të mocionit. Ndërkaq kumbarë i koalicionit aktual, që tani kur u rrezikua nga rënia i hyri nën krah PSD-ja, dihet se ishte Presidenti Thaçi”, ka shkruar ai.

Isa Mustafa tutje ka thënë se duhet të ndërroj radikalisht qasja e pozitës ndaj dialogut.

“Marrëveshja që i nevojitët Kosovës nuk mund të bëhet nga njerëz pa votë qytetare e as me konferenca për shtyp, me Facebook e Twitter, por me njerëz dhe parti që kanë besim dhe përkrahje të gjerë. Fundja çdo proces e ka një fund, për të cilin duhet të mendohet me kohë.”, përfundon postimi i Mustafës./21Media

Back to top button