Mutizmi selektiv tek fëmijët, logopedia jep detaje për RTV21
Mutizmi selektiv është një çrregullim i ankthit tek fëmija, i karakterizuar nga paaftësia e fëmijës për të folur dhe për të komunikuar në mënyrë efektive në situata sociale.
Fëmijët me mutizëm selektiv janë në gjendje të komunikojnë në mënyrë të qartë dhe efektive në mjediset ku ndihen rehat, të sigurt dhe të qetë. Këta fëmijë flasin në shtëpi në prani të anëtarëve të ngushtë të familjes ose me miq të ngushtë.
Mutizmi selektiv karakterizohet nga mungesa e fjalës në situata të caktuara dhe mund të ndërhyjë në funksionimin social dhe akademik. Fëmijët me mutizëm selektiv tregojnë një nivel të lartë të inteligjencës, por mund të manifestohet edhe me ndryshime fizike. Tek fëmijët me këtë çrregullim, komunikimi verbal dhe joverbal është i dëmtuar.
Për rtv21.tv logopedia, Urtina Baftiu ka treguar se simptomat e këtij çrregullimi janë: lëvizje të pazakonta, ndrojtja, tensioni i pjesës së sipërme të trupit dhe fytyrës, kontakt i dobët me njerëzit e tjerë, izolim social, mendime negative, shpërthimet e zemërimit te fëmijët, pastaj këto simptoma shoqërohen me çrregullime të tjera ankthi.
Sipas logopedës Baftiu duke pasur parasysh se ky çrregullim është mjaftë i rrallë edhe shkaktarët e tij nuk janë studiuar aq shumë, mirëpo ka disa shkaktarë që e shkaktojnë këtë çrregullim, si: faktorët temeramentalë, faktorët mjedisor, gjenetika si dhe çrregullime të tjera.
”Faktorët temperamentalë: Shikoni problemet me sjelljen, ndikimet negative, trashëgiminë e drojes, izolimin social dhe ankthin social. Fëmijët e diagnostikuar me mutizëm selektiv mund të kenë gjithashtu vështirësi gjuhësore. Faktorët mjedisorë: Prindërit që shfaqin probleme sociale shfaqin këtë model edhe për fëmijët duke ndikuar sjelljen e tyre. Gjithashtu, rreziku mund të jetë edhe kontrolli i tepruar ose mbikëqyrja nga ana e prindërve. Gjenetika: Fëmija mund të ketë trashëguar ankthin social dhe kjo mbivendosje e ankthit të tij me atë të paraardhësve mund të sjellë mutizëm selektiv. Çrregullimet e tjera: Fëmija mund të ketë çrregullime të tjera si ankthi, si ankth social, ankth gjatë ndarjes nga prindi, apo edhe ndonjë fobi specifike”, ka thënë Baftiu për rtv21.tv
Kjo e fundit ka treguar se ky çrregullim mund të trajtohet, qëllimi kryesor është që të rritet numri i komunikimit shoqëror dhe të tregohet rëndësia dhe funksioni i të folurit.
”Për shkak të mutizmit selektiv, një fëmijë mund të ketë vështirësi me të mësuarit dhe zhvillimin akademik për shkak të pamundësisë për t’u përgjigjur para mësuesve dhe bashkëmoshatarëve dhe për të përjetuar ankth në situata të ngjashme. Prindërit dhe të rriturit nuk duhet ta detyrojnë kurrë një fëmijë të flasë dhe ta bëjë atë edhe më të stresuar. Ata duhet të ndiejnë se kanë një mik dhe mbështetje te një i rritur, jo dikush që do të zemërohet me ta sepse nuk mund të flasin. Sa i përket trajtimit dhe trajtimit të mutizmit selektiv, sot ka metoda të shumta të trajtimit. Kombinimi i terapisë njohëse-sjellëse me ilaçet rezultoi të ishte më i suksesshmi. Psikoterapia funksionon për të ndryshuar përgjigjen e fëmijës ndaj situatave stresuese dhe për t’u marrë me to”, ka thënë logopedia./21Media