“Na janë prishur ushqimet në frigorifer”, 200 familje që 1 javë pa rrymë

Qytetarët thanë se janë pagues të rregullt të rrymës edhe pse faturat ju vijnë me çmime të larta.

Rreth 200 familje të Haraçinës, 7 ditë radhazi nuk kanë energji elektrike.
“7 ditë nuk kemi rrymë. 6 muaj kemi probleme, një fazë e ndalin, dy e ndalin, e ndalin të tretën krejt. Prej pardje na e kanë ndal krejt”, tha Fari Bilalli, banor i Haraçinës.
Nga mungesa e energjisë elektrike, Esat Ameti, banor i Haraçinës nuk ka as ujë.
“Janë prish krejt gjërat. As ujë nuk kemi se me hidrofor e kemi pasur, tani as ujë, as rrymë e as asgjë. Se di, jemi në zor, tani edhe Ramazan nuk po rrihet”, tregoi Esat Ameti, banor i Haraçinës.
Banorët u ankuan se edhe ushqimet e mishit që kanë blerë për muajin e Ramazanit u janë prishur, për shkak se nuk ju punon frigoriferi.
Njëri nga banorët u ankua se nga mungesa e rrymës elektrike as fëmijën e sëmurë me bronkit nuk ka mundur ta inhalojë. Atyre iu është thënë të dërgojnë ankesë deri te zyrat e EVN-së që ekipet të dalin e të sanojnë defektin.
“Dje e kam dërguar ankesën. Na thonë kinse punohet në fshatin Haraçinë, ndërsa realisht nuk punohet asgjë. Na gënjejnë.
TV21: Ju kanë thënë se punojnë?
Po, por nuk punohet asgjë këtu”.
TV21 pyeti te EVN se kur banorët e Haracinës do kenë rrymë. Por, nga atje përsëri u përgjigjën njëjte, se vendasit ua ndalojnë qasjen ekipeve të Elektrodistribuimit për të sanuar defektin.
“Shumë shpesh ekipet e Elektrodistribuimit ballafaqohen me sulme verbale dhe fizike. Me këtë, në tërësi pamundësohet funksionimi normal dhe kryerja e punës. Gjatë gjithë kohës përderisa nuk ka kushte për punë dhe funksionim normal për shkak të arsyeve të lartpërmendura, nuk do të ketë mundësi për sanim të defekteve”, thanë nga EVN.
EVN thanë se banorët shfrytëzojnë energji elektrike ilegale, me çka trafostacionet mbingarkohen dhe shkaktohen defekte. Edhe banorët që protestuan pranojnë se ka vendas që janë të kyçur në të zezë dhe nuk janë pagues të rregullt, por theksuan se duhet gjetur mënyrë që të sanksionohen vetëm ata dhe jo të gjithë banorët. Haraçinasit edhe muaj më parë kishin probleme të tilla me energjinë elektrike, raporton TV21./21Media

Back to top button