“Na ka kaplu betoni”, Azemi premton ‘ndaljen e betonizimit’ në Ferizaj dhe ujin e pijshëm për qytetarët

Kandidati i LDK-së për kryetar të Ferizajt, Visar Azemi, në debatin zgjedhor në RTV21 tregoi platformën e tij qeverisëse për këtë komunë nëse vjen në pushtet.
Ai fillimisht adresoi kritika për qeverisjen aktuale, duke thënë se nëse ky pushtet vazhdon punën “ke me pa që 50 milionë euro kanë me iu dhënë 5 dostave”.
“Me neve qytetarët e Ferizajt kanë me pasë ujë të pijshëm, ka me ndal katrahurën, kaosin urban dhe ka me kthy Ferizajn në qytet të jetueshëm”, tha Azemi.
Sipas tij, uji i pijshëm është problemi numër një në Ferizaj, andaj tha se nuk ka logjikë të merret me projekte tjera pa e zgjidhur problemin me ujin.
“Një zgjidhje të shpejtë që do ta bëj është me puse, nëpër fshatra dhe në lagje, me rezervar me filtera, që t’iu sigurojmë qytetarëve ujë të pijshëm”, tha ai duke shtuar se në Ferizaj ka fshatra që nuk kanë të pinë që 8 muaj.
“Gati gjysma e ujit nuk faturohet, nuk sanohet ndalja e betonizimit, Ferizajit duhet me iu ndal dhënia e lejeve të reja për një afat njëvjeçar deri sa t’i rregullojmë planet e reja zhvillimore të Ferizajt bashkë me hartat zonale, dhe ky është premtimi im që do ta rregulloj për një vit”, tha Azemi duke shtuar se nuk është kundër ndërtimit, por një gjë e tillë sipas tij do të bëhet me plane më të mira, derisa premtoi se do t’i kthejë hapësirat e gjelbra./21Media