Nagavci: Mbi 55 mijë punëtorë të stafit arsimor janë vaksinuar
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka njoftuar se numri i stafit arsimor të vaksinuar përfshirë ata në arsimin parauniversitar, në arsimin e lartë si dhe studentët, është 55 mijë e 94.
Ajo thotë se kjo shifër, dy javë më parë ka qenë 29 mijë e 878.
Nagavci përmes një shkrimi në “Facebook”, ka ftuar të gjithë punëtorët e arsimit që të vaksinohen.
“Bazuar në këto të dhëna shihet se ditëve të fundit ka pasur një rritje të interesimit për t’u vaksinuar. Meqë jemi në prag të fillimit të vitit të ri shkollor dhe atij akademik, ftoj edhe njëherë të gjithë punëtorët e arsimit që të vaksinohen. Ne jemi gati për fillimin e vitit të ri shkollor dhe atij akademik dhe po synojmë që ky proces të nis me prezencë fizike. Meqë jemi në situatë pandemie, paraprakisht duhet t’i plotësojmë kushtet për një fillim sa më të mbarë. Prandaj vaksinohuni”, ka shkruar ajo.
Ministria e Shëndetësisë njoftoi të enjten se 8 persona kanë vdekur dhe janë regjistruar edhe 2 mijë e 236 raste me COVID-19, që është një rekord i ri sa i përket infektimeve ditore me koronavirus./21Media