NASA konfirmon ekzistencën e një hëne të dytë që rrotullohet rreth Tokës

Një lajm ka tërhequr vëmendjen e shkencëtarëve dhe entuziastëve të astronomisë. Astronomët e NASA-s konfirmuan së fundmi zbulimin e një vizitori të ri hapësinor që do ta shoqërojë Tokën për dekada të tëra.
Ky objekt qiellor, i cili është emëruar 2025 PN7, do të udhëtojë në një orbitë shumë të ngjashme me atë të planetit tonë, duke orbituar rreth Diellit në një distancë të krahasueshme. Falë kësaj trajektoreje të pazakontë, ai do të mbetet relativisht afër Tokës për afërsisht gjysmë shekulli.
Edhe pse shumë e kanë quajtur gjerësisht një “mini-hënë ” , ekspertët sqarojnë se ky trup nuk është një satelit natyror i Tokës si Hëna jonë. Por, në realitet, është ajo që astronomët e quajnë një kuazi-hënë, një lloj asteroidi që duket se shoqëron planetin në udhëtimin e tij, por ruan orbitën e vet të pavarur diellore.
Me këtë zbulim, NASA konfirmoi se Toka nuk po udhëton vetëm nëpër kozmos, të paktën përkohësisht. Edhe pse qëndrimi i saj do të jetë i shkurtër, ky shoqërues i ri kozmik përforcon idenë se sistemi diellor është shumë më dinamik dhe në ndryshim të vazhdueshëm nga sa duket në shikim të parë.
Sipas medias Unión Rayo , asteroidi u zbulua për herë të parë nga një grup studiuesish nga Universiteti i Havait, të cilët vunë re se sjellja e tij është shumë e veçantë.
Ky objekt qiellor duket se ndjek Tokën si një hije e përhershme, duke lëvizur pothuajse me të njëjtin ritëm që rrotullohet rreth Diellit. Edhe pse nuk është i bllokuar nga graviteti i Tokës siç është Hëna, orbita e tij është aq e ngjashme me atë të planetit tonë saqë jep përshtypjen se lëviz përkrah tij, duke ruajtur një afërsi të vazhdueshme pa qenë në të vërtetë një satelit i vërtetë./21Media